Agjencitë antikorrupsion të Ukrainës kanë bastisur shtëpinë e njërit prej ndihmësve më të ngushtë të Presidentit Volodymyr Zelensky, duke përshkallëzuar një krizë të madhe politike, ndërsa Kievi përballet me presion të ripërtërirë nga Shtetet e Bashkuara për të pranuar një marrëveshje paqeje që do t’i jepte fund luftës me Rusinë.
Zyrtarisht shefi i stafit të presidentit, Andriy Yermak shihet shpesh si njeriu i dytë më i fuqishëm i Ukrainës. Ai ka udhëhequr delegacionin ukrainas gjatë bisedimeve të fundit në Gjenevë me Uashingtonin. Yermak teksa konfirmoi aksionin, deklaroi se ai po “bashkëpunonte plotësisht” me autoritetet.
“Hetuesit nuk po hasin ndonjë pengesë. Atyre u është dhënë akses i plotë në apartament dhe avokatët e mi janë në vendngjarje, duke bashkëvepruar me zyrtarët e zbatimit të ligjit”, tha ai.
Të dy organet kryesore anti-korrupsion të Ukrainës, Byroja Kombëtare Anti-Korrupsion e Ukrainës (NABU) dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar Anti-Korrupsion (SAPO), ishin të përfshira në kërkime, sipas një deklarate të lëshuar nga agjencitë.
Deklarata nuk zbuloi arsyen e bastisjeve, por bastisja vjen vetëm dy javë pasi dy agjencitë njoftuan një hetim gjithëpërfshirës mbi një skemë të dyshuar ryshfeti që kishte të bënte me infrastrukturën kritike energjetike të Ukrainës.
Skandali ka rrëzuar tashmë dy nga ministrat e Zelensky-t dhe ka përfshirë një ish-bashkëpunëtor biznesi nga ditët e tij në industrinë e argëtimit.
