Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar zyrtarisht se ka konstatuar prani të Aflatoksinës B1 në dy ngarkesa me misër për ushqim kafshësh me origjinë nga Serbia, gjatë kontrollit në Pikën e Inspektimit Kufitar në Han të Hotit.
Sipas AKU-së, mostrat janë marrë në zbatim të Planit Vjetor të Kontrollit dhe, pas analizave laboratorike, është konfirmuar ndotja me këtë substancë të rrezikshme.
Institucioni bën me dije se njëra prej ngarkesave është kthyer menjëherë në vendin e origjinës, ndërsa ngarkesa tjetër është bllokuar në ambientet e subjektit, me destinacion përfundimtar asgjësimin.
AKU siguron publikun se çdo produkt ushqimor që importohet në vend i nënshtrohet kontrolleve të rrepta, në mënyrë që të garantohet siguria ushqimore dhe mbrojtja e shëndetit të konsumatorëve.




