Ekspertët thanë se mjetet ekzistuese dhe ato në zhvillim të inteligjencës artificiale (IA) mund të përdoren teknikisht për të krijuar një armë biologjike të aftë të shkaktojë një pandemi.
Në fillim të këtij viti, disa nga ekspertët më të lartë të teknologjisë dhe kundër-terrorizmit në botë u takuan për të shqyrtuar një skenar hipotetik: një pandemi globale e shkaktuar nga një lloj i ri i enterovirusit, i krijuar me qëllim nga një grup ekstremistësh duke përdorur AI.
Skenari mund të duket si drama e një romani shkencë-fantastik, por sipas grupit prej 14 ekspertësh që u takuan për të diskutuar masat mbrojtëse të AI-së në shkencat e jetës, është plotësisht i mundshëm në vitet e ardhshme, raporton euronews.
“Ekspertët gjetën se pandemia fiktive – e cila parashikonte 850 milion raste dhe 60 milion vdekje në mbarë botën – ishte “thellësisht shqetësuese dhe e denjë për veprime afatshkurtra për ta parandaluar”, sipas një raporti mbi diskutimet e grupit, transmeton Telegrafi.
AI-ja po revolucionarizon tashmë fushën mjekësore, duke premtuar të përshpejtojë zhvillimin e barnave dhe vaksinave të reja. Por ekspertët kanë ngritur gjithashtu shqetësime se një armë biologjike e fuqizuar nga IA mund të shkaktojë shkatërrim masiv mbi njerëzimin.
Grupi i ekspertëve, i cili u thirr nga Iniciativa për Kërcënimet Bërthamore dhe Konferenca e Sigurisë në Mynih në shkurt, paralajmëroi se zhvillimi i shpejtë i AI-së po “shkatërron barrierat ndaj zhvillimit të armëve biologjike nga aktorë të dëmshëm”.
Grupi konstatoi se këto kërcënime nuk janë larg në të ardhmen.
Ekspertët thanë se do të ishte teknikisht e mundur të përdoren mjetet biologjike ekzistuese dhe ato në zhvillim të bazuara në IA për të krijuar patogjenë të rinj me rrezik në nivel pandemik.
Për më tepër, masat aktuale të sigurisë janë jashtëzakonisht të papërgatitura për t’u përballur me këto kërcënime, tha grupi.
Ekspertët kërkuan një bashkëpunim më të madh midis udhëheqësve globalë për të vlerësuar dhe për t’iu përgjigjur kërcënimeve biologjike të drejtuara nga AI-ja.
Ata gjithashtu thanë se përpjekjet për të menaxhuar rreziqet e IA-së duhet të balanconi me përfitimet e mundshme të këtyre teknologjive, për të “evituar vendosjen e kufizimeve të tepruara” mbi inovacionin shkencor.




