Burri që vrau ish-kryeministrin e Japonisë, Shinzo Abe, është dënuar me burgim të përjetshëm, tre vjet e gjysmë pasi qëlloi për vdekje ish-liderin gjatë një tubimi në qytetin e Narës në vitin 2022.
Vetë Tetsuya Yamagami u deklarua fajtor për krimin në hapjen e gjyqit vitin e kaluar, por dënimi që ai meriton ka ndarë opinionin publik në Japoni. Ndërsa shumë e shohin 45-vjeçarin si një vrasës gjakftohtë, disa e simpatizojnë edukimin e tij të trazuar.
Prokurorët thanë se Yamagami meritonte burgim të përjetshëm për “aktin e tij të rëndë”. Vrasja e Abes tronditi vendin ku praktikisht nuk ka asnjë krim me armë zjarri.
Duke kërkuar butësi, ekipi mbrojtës i Yamagami tha se ai ishte viktimë e “abuzimit fetar”.
Përkushtimi i nënës së tij ndaj Kishës së Unifikimit e falimentoi familjen dhe Yamagami mbajti mëri ndaj Abes pasi kuptoi lidhjet e ish-udhëheqësit me kishën kontroverse.
Gati 700 njerëz u rreshtuan jashtë gjykatës së distriktit të Narës të mërkurën për të marrë pjesë në seancën e dënimit.
Vdekja tronditëse e Abe-s ndërsa mbante një fjalim në mes të ditës nxiti hetime mbi Kishën e Unifikimit dhe praktikat e saj të dyshimta, duke përfshirë kërkimin e donacioneve që shkatërronin financiarisht nga ithtarët e saj.
Rasti nxori në pah gjithashtu lidhje me politikanë nga Partia Liberale Demokratike në pushtet në Japoni dhe rezultoi në dorëheqjen e disa ministrave të kabinetit.
Gazetari Eito Suzuki, i cili mbuloi të gjitha seancat gjyqësore të Yamagami-t përveç njërës, tha se Yamagami dhe familja e tij dukeshin “të mbingarkuar nga dëshpërimi” gjatë gjithë gjyqit.
Yamagami “përhapte një ndjenjë lodhjeje nga bota dhe dorëheqjeje”, rrëfen Suzuki, i cili filloi të hulumtonte Kishën e Unifikimit shumë kohë para vrasjes tronditëse të Abes.
“Gjithçka është e vërtetë. Nuk ka dyshim se e bëra unë këtë”, tha Yamagami solemnisht në ditën e parë të gjyqit të tij në tetor 2025. I armatosur me një armë të bërë në shtëpi të montuar duke përdorur dy tuba metalikë dhe shirit ngjitës, ai qëlloi dy herë drejt Abes gjatë një eventi të fushatës politike në qytetin perëndimor të Narës më 8 korrik 2022.
Vrasja e figurës publike më të njohur të Japonisë në atë kohë – Abe mbetet kryeministri me shërbimin më jetëgjatë në historinë japoneze – shkaktoi tronditje në të gjithë botën.
Duke kërkuar një dënim me burgim jo më shumë se 20 vjet, avokatët e Yamagamit argumentuan se ai ishte viktimë e “abuzimit fetar”. Ai e urrente kishën sepse nëna e tij i dhuroi asaj sigurimin e jetës së babait të tij të ndjerë dhe asete të tjera, që arrinin në 100 milionë jen (828,750 dollarë singaporianë), dëgjoi gjykata.
Yamagami foli për ankesën e tij kundër Abe-s pasi pa mesazhin e tij video në një aktivitet të lidhur me kishën në vitin 2021, por tha se fillimisht kishte planifikuar të sulmonte drejtuesit e kishës, jo Abe-n.
Suzuki kujton vështrimin mosbesues të vejushës së Abes, Akie, kur Yamagami tha se ish-lideri nuk ishte objektivi i tij kryesor. Shprehja e saj “mbetet e ngulitur qartë në mendjen time”, thotë Suzuki.
“Përcolli një ndjesi shoku, sikur po pyeste: A ishte im shoq thjesht një mjet i përdorur për të shlyer një mëri ndaj organizatës fetare? A ishte vetëm kaq?”
Në një deklaratë emocionale të lexuar në gjykatë, Akie Abe tha se hidhërimi për humbjen e bashkëshortit të saj “nuk do të lehtësohet kurrë”.
«Doja vetëm që ai të mbetej gjallë», kishte thënë ajo.
E themeluar në Korenë e Jugut, Kisha e Unifikimit hyri në Japoni në vitet 1960 dhe kultivoi lidhje me politikanë për të rritur numrin e ndjekësve të saj, thonë studiuesit.
Edhe pse nuk ishte anëtar, Abe, si disa politikanë të tjerë japonezë, shfaqej herë pas here në ngjarje që lidheshin me kishën. Gjyshi i tij Nobusuke Kishi, gjithashtu një ish-kryeministër, thuhej se kishte qenë i afërt me grupin për shkak të qëndrimit të tij antikomunist.
Në mars të vitit të kaluar, një gjykatë në Tokio ia revokoi kishës statusin si korporatë fetare, duke vendosur se ajo i detyronte ithtarët të blinin artikuj të shtrenjtë duke shfrytëzuar frikën për mirëqenien e tyre shpirtërore.
Kisha ka tërhequr gjithashtu polemika për mbajtjen e ceremonive masive martesore që përfshijnë mijëra çifte.
Motra e Yamagamit, e cila u paraqit si dëshmitare e mbrojtjes gjatë gjyqit të tij, dha një dëshmi plot lot mbi “rrethanat e tmerrshme që ajo dhe vëllezërit e motrat e saj duruan” për shkak të përfshirjes së thellë të nënës së tyre në kishë, kujton Suzuki.
“Ishte një moment jashtëzakonisht emocional. Pothuajse të gjithë në galerinë publike dukeshin sikur po qanin”, thotë ai.
Por prokurorët argumentojnë se ka “një kërcim në logjikë” se pse Yamagami e drejtoi pakënaqësinë e tij ndaj kishës te Abe. Gjatë gjyqit, gjyqtarët ngritën gjithashtu pyetje duke sugjeruar se e kishin të vështirë ta kuptonin këtë aspekt të mbrojtjes së tij.
Vëzhguesit, gjithashtu, janë të ndarë nëse tragjeditë personale të Yamagamit justifikojnë një dënim të reduktuar për veprimet e tij.
“Është e vështirë të rrëzohet argumenti i prokurorisë se Abe nuk e dëmtoi drejtpërdrejt Yamagamin ose familjen e tij”, thotë Suzuki.
Por ai beson se rasti i Yamagamit ilustron se si “viktimat e problemeve sociale çohen drejt kryerjes së krimeve të rënda”.
“Ky zinxhir duhet të thyhet, ne duhet të shqyrtojmë siç duhet pse ai kreu krimin”, thotë Suzuki.
Rin Ushiyama, një sociolog në Universitetin Queen’s në Belfast, thotë se simpatia për Yamagamin është kryesisht e rrënjosur në “mosbesimin dhe antipatinë e përhapur në Japoni ndaj feve kontraverse si Kisha e Unifikimit”.
“Yamagami ishte sigurisht një ‘viktimë’ e neglizhencës prindërore dhe vështirësive ekonomike të shkaktuara nga [Kisha e Unifikimit], por kjo nuk i shpjegon, e lëre më t’i justifikojë, [veprimet] e tij”, thotë Ushiyama.

