Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha prezantoi sot pikat kryesore të fazës së parë për nxjerrjen e shëndetësisë nga kriza, si dhe premtoi rriten e menjëhershme të pagave të mjekëve me 1200 euro dhe 700 euro për infermierët.
Basha shprehet se “pika e parë është rritja e financimit dhe mirëmenaxhimi i fondeve do të nisë me anulimin e të ashtuquajturave koncesione. Profesionalizmi dhe rikonceptimi i sistemit. Që rritja e financimit shëndetësor, jo vetëm përmes anulimit të koncesioneve, por edhe rritjes së kontributit të taksimit universal për buxhetin e shëndetësisë të japë rezultatet e duhura, duhet të kemi një rikonceptim total të institucioneve të kujdesit shëndetësor. Koncepti i “spitalit-sipërmarrje, kujdesi shëndetësor parësor në shtëpi, shëndeti përmes mjekut të familjes-profesionist i lirë, janë disa nga konceptet qe duam të diskutojmë më korpusin e profesionistëve dhe administratorëve të shëndetit publik”.
“Spitali autonom do të bëjë të mundur që të mos mungojnë asnjëherë barnat, analizat laboratorike apo ekzaminimet, një nga mangësitë që e bartim edhe nga koha e qeverisjes sonë. Nëse hedhim këto tre hapa, financimi, autonomia, dhe profesionalizimi, do të mundësojmë që shqiptarët të mos blejnë më barna nga xhepi, të mos paguajnë bakshishe nën dorë. Do të mundësojmë një mjedis të qetë pune për profesionistët e shëndetësisë, mjekët dhe infermierët. Kjo mënyrë e re e funksionimit të spitaleve, ku do të krijohen të tjera marrëdhënie midis spitalit, mjekut dhe personelit shëndetësor, përveç kontratave me kohë të plotë, do të ketë edhe mjekun e familjes profesionist të lirë dhe do të bëjë të mundur që, të paktën në fazën e parë, ne të jemi në gjendje të zbatojmë angazhimin tim dhe të PD që pagat e personelit shëndetësor të rriten në mënyrë të menjëhershme me 1200 euro për mjekët dhe 700 euro në muaj për infermierët, si një masë e domosdoshme për të nisur kontrollin e largimit masiv të personelit shëndetësor dhe pasojat që sjell për pacientët”, thekson ai./ATSH/