Haxhiu: Duhen dy kandidatë për të thirrur seancën për presidentin

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se procedura për zgjedhjen e presidentit nuk mund të nisë përderisa nuk ekzistojnë të paktën dy kandidatura të vlefshme, siç kërkon Kushtetuta e Kosovës.

“Deri në këtë moment kam pranuar vetëm një kandidaturë për president. Kushtetuta kërkon që unë nuk mund të thërras seancë për zgjedhjen e presidentit pa i pasur dy kandidatë. Afati i fundit për paraqitjen e kandidatëve është 5 mars, dhe ftoj të gjithë deputetët që nuk kanë dhënë propozimet e tyre që të japin,” tha Haxhiu në një konferencë për media.

Sipas saj, kandidatura e vetme e dorëzuar deri tani është ajo e zotit Glauk Konjufca, e propozuar nga 30 deputetë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe disa deputetë nga grupet multietnike.

Haxhiu bëri të qartë se procedura kushtetuese kërkon të paktën dy kandidatë për të nisur votimin.

“Derisa nuk kemi të paktën dy kandidatë që kanë siguruar mbështetjen e nevojshme prej 30 deputetësh, unë nuk mund të thërras seancë për zgjedhjen e presidentit. Kërkesa për seanca të jashtëzakonshme mund të ketë, por seanca për zgjedhjen e presidentit nuk mund të zhvillohet pa këtë kusht,” tha Haxhiu, duke shtuar se afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit është 5 mars 2026, pra nesër, dhe situata e afatshme e bën më urgjente angazhimin e deputetëve.

Haxhiu ka bërë thirrje që deputetët që ende nuk kanë dhënë nënshkrimet për kandidatët të reflektojnë mbi përgjegjësinë e tyre kushtetuese.

“Kuvendi ka 120 deputetë dhe vetëm 30 kanë nënshkruar për kandidaturën e parë. Ka mundësi që të propozohen deri në katër kandidatë, por për nisjen e procedurës nevojitet të paktën një kandidat tjetër,” tha ajo.

Sipas kryetares, në rast se në raundin e tretë asnjëri nga kandidatët nuk arrin 61 vota për të zgjedhur presidentin, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Gjithashtu, Kushtetuta parashikon një afat 60-ditor për përzgjedhjen e presidentit nga nisja e procedurave; nëse afati shkelet, Kuvendi shpërndahet automatikisht.

“Interesi i Republikës dhe qytetarëve duhet të jetë mbi çdo kalkulim tjetër. Mungesa e vullnetit dhe shpërfillja e përgjegjësisë nga deputetët për mua është e paarsyeshme,” përfundoi Haxhiu.

Share This Article