Bela fut në bela ndërtimin

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Për herë të parë në shumë vite, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit ka mbyllur qepenat dhe nuk mblidhet prej të paktën 4 muajsh. Arsyeja është ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Ose më saktë, problemet e ish ministres Belinda Balluku me drejtësinë.

Mbledhja e fundit e KKTU-së është zhvilluar në 23 tetor të vitit të kaluar. Qindra bizneseve u është dashur të shtyjnë projektet e tyre, për shkak të pamundësisë për të siguruar leje ndërtimi. Paralizimi i KKTU-së nuk ka prekur vetëm projektet e kullave apo resorteve, por edhe veprat publike, të cilat kërkojnë leje ndërtimi.

Situata e bllokimit ka nisur të reflektohet fort edhe në sentimentin e tregun. Në treguesin e ndjesisë që publikon Banka e Shqipërisë, sektori ndërtimit shënoi rënien më të madhe të optimizmit.

Indeksi i besimit në ndërtim u ul me më shumë se 6 pikë përqindje për herë të parë në shumë vite, pavarësisht se sërish niveli i besimit në ndërtim mbetet mbi mesataren shumëvevjeçare.

Për shkak të vrullit të madh të ndërtimeve, KKTU kishte konsiliduar një traditë duke u mbledhur gati dy herë në muaj. Por pasi SPAK mori të pandehur Belinda Ballukun në nëntor të vitit të kaluar, mbledhjet e KKTU u bllokuan automatikisht, pasi ministria e Infrastrukturës është dhe institucioni kryesor i linjës në rregullimin e territorit dhe urbanistikës.

Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama ndryshoi gjysmën e qeverisë, duke përfshirë edhe ministrin e Infrastrukturës. Belinda Balluku u shkarkua pas më shumë se 6 viteve në këtë post duke u zëvendësuar nga Enea Karakaçi.

Këto ndryshime në qeveri pritet të zhbllokojnë edhe KKTU-në, e cila parashikohet të mblidhet gjatë ditëve në vijim.

Marrë nga Kapitali.al

Share This Article