Para botës duhet të jemi të bashkuar, mos e baltosni Kosovën për luftëra politike

albnews
By
6 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Nga Helidon Kastrati

Unë e kuptoj urrejtjen kundër Edi Rames që keni ju, dhe nuk besoj se është më e madhe se ajo që kam unë. Ju ndoshta nuk më njihni, por unë jam nipi i martirit të parë të demokracisë, Sulejman Kastrati-Vuçiterni-a, nga Vorbevci në Drenicë, ose më mirë të themi komandantit të përgjithshëm të Ushtrisë Kombëtare gjithëshqiptare. Familja jonë është persekutuar nga baballarët e tyre.

Si serbët, ashtu edhe komunistët, nuk na kanë sjellë asgjë të mirë, përveç vrasjeve, vuajtjeve dhe ndarjeve.

Por këtu nuk bëhet fjalë se kush është Edi Rama. Bëhet fjalë për abuzimin që emri i tij të lidhet me emrin Shqipëri, dhe akoma më keq të baltoset emri i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për arsye të pista politike.

Ajo Vjosa Osmani që përmendni ju, kur erdhi në Shqipëri dhe foli në parlamentin shqiptar, përmendi edhe emrin e gjyshit tim, duke treguar se si komunistët e kishin përndjekur dhe vrarë. Në atë kohë, Edi Rama nuk kishte as fytyrë të vinte në parlament.

Gjyshi im, i cili është edhe xhaxhai i nënës së saj dhe vjen nga familja e Kastratëve të Drenicës, u torturua dhe u vra nga komunistët, edhe pse ishte një patriot shqiptar nga Kosova. Ndërsa dy vëllezërit e tij u vranë dhe u dogjën të gjallë nga serbët; njëri prej tyre është gjyshi i Vjosës nga ana e nënës.

Kur Vjosa Osmani takon Donald Trump apo liderë të tjerë botërorë, thuhet se bën mirë për Kosovën; por kur takon Edi Ramen, atëherë thuhet se bën keq. Pse? Sepse tregon unitet kombëtar?

Edhe Albin Kurti, me dashje apo pa dashje, e ka treguar këtë duke e pritur me tapet të kuq. Por ju duhet ta kuptoni se para botës ne duhet të dukemi të bashkuar. Problemet tona mund t’i zgjidhim mes vetes, ‘në shtëpinë tonë’, pa filluar një luftë sociologjike në rrjetet sociale-ju të Kosovës dhe ju të Shqipërisë-sepse është turp.

Çfarë lidhje ka Vjosa me Aleksandar Vučić, o të mjerë? Vuçiçin e kanë takuar edhe parti të tjera, kanë shkuar në Hagë dhe kanë miq edhe me Ramën, edhe me LDK-në, AK-në, edhe në White House e kudo.

Madje edhe Albin Kurti, me gjithë respektin e madh që kam për të, u takua me të në Ohër. Por shansi ynë ishte se Vuçiç nuk mund të firmoste, sepse nuk e lejon Kushtetuta e Serbisë. Ai nuk kishte autoritet për të firmosur; për ta bërë këtë do të duhej të ndryshonte kushtetutën.

Nëse ai do të kishte firmosur, Albini do të kishte bërë të njëjtin gabim si Hashim Thaçi, siç ndodhi edhe me çështjen e territorit të Kosovës për Kishën Serbe.

Duhet ta kuptoni se liderët tanë nuk janë gjithmonë në pozicion të vendosin 100% çfarë duan, për arsye madhore që të gjithë i dimë. E njëjta gjë vlen edhe për Vjosa Osmani. Nëse e kanë ftuar në një dhomë amerikane-ku ishte edhe presidenti i Shqipërisë, e jo Edi Rama-kjo nuk do të thotë që ajo ka tradhtuar interesat e Kosovës apo të Albin Kurti.

Mos u bëni kaq naivë sa të bini pre e një propagande kaq të ulët.

Unë Albinin e dua shumë dhe e kam mbështetur, por është gabim ky shqetësim pa kuptim që të bëhesh paranojak, sepse mund ta çojë edhe Vetëvendosjen në probleme të panevojshme.

Mos harroni se në politikë ka edhe shumë ego personale. Vjosa, me ndihmën e VV dhe të Albinit, mori atë pozicion, por ajo e meritonte dhe kishte ambicie të mëdha në politikën e jashtme. Në një moment kjo i shkonte për shtat edhe Albinit, dhe ai e përdori në shumë takime. Por jo çdo shqiptar dëshiron një president ‘kukull’, siç ndodh shpesh në Shqipëri; shumë njerëz duan një presidente aktive, edhe nëse kjo ndonjëherë e vë në hije kryeministrin.

Ky është një problem që shqiptarët nuk e zgjidhin kollaj.

Urimi im është që ata të dy të reflektojnë dhe të rregullojnë çdo marrëdhënie personale vetëm për të mirën e Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve në rajon.

Suksese Kosovës, sepse ajo është më e rëndësishme se çdo emër i përveçëm.

Shikoni, njerëz: shumë shpejt keni dëshirë të baltosni të tjerët. Ky është një ves i keq që shpesh e kemi edhe ne shqiptarët: bëj 100 të mira dhe nuk je kurrë i mirë; bëj një gjë që dikujt nuk i pëlqen dhe menjëherë bëhesh i keq.

Prandaj, ju lutem, mos filloni të më bëni moral. Unë fola qartë, me respekt dhe me qëllim të mirë. Nëse nuk keni kapacitet ta kuptoni, nuk është faji im; nëse e bëni me qëllim, atëherë duhet t’ju vijë turp.

Sepse, siç thotë populli:

‘Për një plesht nuk digjet jorgani.’

Share This Article