Shefi i Hezbollahut: Ne refuzojmë kategorikisht negociatat e drejtpërdrejta me Izraelin

albnews
By
3 Min Read

Shefi i Hezbollahut, Naim Qassem, tha se negociatat e drejtpërdrejta janë “jashtë diskutimit” dhe se grupi i tij do të vazhdojë të rezistojë dhe t’i përgjigjet “agresionit” izraelit.

“Ne nuk do të heqim dorë nga armët, mbrojtja si edhe terreni kanë treguar gatishmërinë tonë për përballje,” tha ai.

“Autoritetet [qeveria e Libanit] nxituan të bëjnë një lëshim të panevojshëm dhe të pajustifikuar, dhe ne refuzojmë kategorikisht negociatat e drejtpërdrejta me Izraelin. Autoritetet duhet të ndalojnë negociatat e drejtpërdrejta dhe të ndjekin një rrugë negociatash të tërthorta,” shtoi Qassem.

Shefi i Hezbollahut thotë se Izraeli, me mbështetjen e SHBA-së, kishte vënë bast për shkatërrimin e grupit, por kjo nuk ka arritur që nga 23 shtatori 2024, kur Izraeli nisi një fushatë sulmesh ajrore në të gjithë Libanin.

“Armiku ka arritur në një pikë të vështirë; kjo rezistencë është e vazhdueshme, e fortë dhe nuk mund të mposhtet,” tha ai.

Qassem hodhi poshtë bisedimet e qeverisë libaneze me Izraelin dhe paraqiti pesë kushte që duhet të përmbushen para se të zhvillohen negociata të drejtpërdrejta.

“Ndërprerja e agresionit në tokë, det dhe ajër, tërheqja e Izraelit nga territoret e pushtuara, lirimi i të burgosurve, kthimi i njerëzve në të gjitha fshatrat dhe qytetet e tyre dhe rindërtimi,” tha ai.

“Autoriteti libanez është përgjegjës për ndalimin e negociatave të drejtpërdrejta me armikun izraelit dhe për të ndjekur negociata të tërthorta, si dhe për të shfuqizuar vendimin e marsit që kriminalizon rezistencën dhe bazën e saj popullore, e cila përbën më shumë se gjysmën e popullit libanez, në mënyrë që të mund të ndjekë një dialog të brendshëm që vendos interesin e Libanit mbi çdo konsideratë tjetër, pa iu nënshtruar diktateve izraelite dhe të huaja,” tha Qassem.

Konflikti i rinisur mes Izraelit dhe Libanit më 2 mars, ka sjellë qindra viktima nga ana libaneze. Ushtria izraelite ka avancuar ofensivën e saj në Libanin jugor, duke marrë territore deri në lumin Litani, duke i konsideruar si zonë tampon. Izraeli ka vazhduar sulmet ndaj Libanit jugor, duke u përplasur me Hezbollah, ndërkohë që grupi i mbështetur nga Irani ka goditur me raketa dhe dronë fshatrat në veri të Izraelit. 

Një nga kushtet e palës iraniane për armëpushim me SHBA-të dhe Izraelin, mbetet edhe armëpushimi ndërmjet Izraelit dhe Libanit. Pavarësisht deklaratave të palëve në konflikt, Izraeli ka vazhduar sulmet, duke u bërë thirrje banorëve në Libanin jugor të largohen më në veri të vendit.

Share This Article