Britani/ Nis gjyqi për vdekjen tragjike të 30-vjeçarit shqiptar Sajmir Beca

albnews
By
2 Min Read

Ka nisur në Mbretëria e Bashkuar procesi gjyqësor lidhur me vdekjen e 30-vjeçarit shqiptar Sajmir Beca, i cili humbi jetën në një ngjarje tragjike vitin e kaluar, pasi u fut në një kosh mbeturinash për të kaluar natën dhe u përfshi aksidentalisht në një kamion plehrash.

Sipas dëshmisë së shoferit të mjetit të mbetjeve, ai ka përjetuar ngjarjen me tronditje të madhe, duke deklaruar se fillimisht nuk kishte vënë re asgjë të pazakontë gjatë kontrollit të koshave.

“Dëgjova britma të forta… dhe menjëherë ndalova,” është shprehur ai në seancën gjyqësore, duke shtuar se kishte njoftuar menjëherë shërbimet e emergjencës.

Ngjarja ndodhi pasi koshi i mbeturinave u boshatis në kamion, duke aktivizuar mekanizmin e shtypjes, moment në të cilin u dëgjuan thirrjet e viktimës. I riu u transportua në spital, por ndërroi jetë disa ditë më vonë si pasojë e plagëve të rënda.

Familjarët e tij kanë udhëtuar nga Shqipëria për të ndjekur hetimet dhe procesin gjyqësor. Avokatja e familjes, Fabjola Aruci, ka deklaruar se familja kërkon përgjigje për rrethanat e sakta të ngjarjes dhe për mënyrën se si viktima përfundoi në koshin e mbeturinave.

Sipas saj, familja do të vazhdojë të kërkojë drejtësi për të riun, të cilin e përshkruajnë si një person të dashur dhe human, me dëshirë për të ndihmuar të tjerët.

Autoritetet britanike e kanë klasifikuar ngjarjen si aksidentale, ndërsa hetimet dhe procesi gjyqësor vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie.

Share This Article