Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është bashkuar manifestimit të thirrur sot nga Presidenti Meta.
“Mesazhi im është një falënderim nga zemra për gjithë qytetarët që i janë përgjigjur thirrjes për të mbrojtur Kushtetutën dhe një citim i një prej baballarëve themelues të SHBA Thomas Jefferson: e vetmja garanci për ruajtjen e lirisë është mbrojtja e Kushtetutës dhe se liria dhunohet, kur Kushtetuta shkelet”, tha Basha gjatë komunikimit me gazetarët.
“Në Shqipëri, Kushtetutës i ka mbetur vetëm kapaku. Mendoj se kriza politike duhet zgjidhur një orë e më parë për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe se e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhjet legjitime vendore”, tha Basha.
Pyetjes përse nuk mban fjalim në protestë, Basha tha se “kjo nuk është një protestë, është një tubim drejtuar gjithë qytetarëve shqiptarë në mbrojtje të Kushtetutës dhe unë këtu ndodhem si qytetar, si prind, si bir nëne e babai, si bashkëshort dhe si bashkëqytetar i juaji. Unë kam dalë bashkë me miq të nderuar për të dhënë mesazhin e qartë se ky është tubim qytetar. Thirrja u është drejtuar qytetarëve dhe ky është një bashkim qytetar“./ATSH/