Puna në sektorin minerar vazhdon pa asnjë lloj kufizimi, pavarësisht ankesave që Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës iu ka dërguar institucioneve shtetërore prej 3 ditësh për rrezikun që u kanoset minatorëve nga virusi Covid-19.
Në këto fotografi që na kanë ardhur nga minatorët që punojnë në minierën e kromit të administruar nga kompania Albchrome në Bulqizë, dallohet afërsia e madhe që kanë punëtorët me njëri-tjetri, po ashtu edhe rreziku i lartë prej infektimit. E megjithatë puna në miniera vazhdon: as kompanitë e as institucionet nuk janë duke marrë masat që kërkon situata e rëndë në vend.
Iu bëjmë apel për të disatën herë institucioneve shtetërore për marrjen e masave të menjëhershme! Siguria e punëtorëve është më e rëndësishme se milionat e pronarëve!