Një analizë nga Helidon Kastrati / Përfaqësimi, Jo Turma! Si Mund të Organizohet Një Lëvizje e Re Qytetare dhe Politike

Share


Duke marrë shkas nga deklarimet e fundit, dua t’u bëj thirrje të gjithëve të kuptojnë se nuk mund të organizohet një kuvend – qoftë popullor apo parlamentar – me 500 pjesëmarrës aktivë.

Duke njohur mentalitetin tonë, një mbledhje me kaq shumë njerëz do të përfundonte lehtësisht në kakofoni. Secili do të kërkonte të fliste, debatet do të zgjateshin me orë të tëra dhe, në vend të bashkimit, do të krijoheshin pakënaqësi dhe përçarje. Prandaj, përpara çdo organizimi, duhet të zgjidhen dy çështje themelore.

1. Krijimi i grupeve përfaqësuese Çdo grup duhet të deklarojë qartë kë përfaqëson. Çdo qytetar duhet ta dijë nëse ai grup mbron interesat e tij apo jo. Grupet mund të organizohen sipas interesave dhe shtresave të shoqërisë, si p.sh.: – Nacionalistët; – Socialdemokratët dhe sindikatat që përfaqësojnë shtresat në nevojë;

– Biznesi i ndershëm dhe sipërmarrja e lirë, jo oligarkët dhe monopolistët; – Të rinjtë dhe studentët, me fokus arsimin dhe punësimin;

– Pensionistët dhe shtresat në nevojë;

– Bujqit dhe klasa punëtore; –

Grupime të ndryshme politike, si të majta ashtu edhe të djathta, që nuk kanë qenë pjesë e qeverisjes apo e Parlamentit në këtë legjislaturë; – Grupe të tjera sipas nevojës.

Mendoj se numri i grupeve nuk duhet të jetë më i madh se 10. Kur secili qytetar ta gjejë veten në grupin që e përfaqëson, sipas profesionit, aftësive, përvojës, kontributit dhe interesit të tij, atëherë secili grup zgjedh përfaqësuesit e vet. Më pas, këta përfaqësues bashkohen në një platformë të përbashkët, duke krijuar një strukturë funksionale dhe efikase.

Kjo është shumë më e thjeshtë sesa përpjekja për të drejtuar një turmë prej qindra mijëra njerëzish. Përndryshe, ekziston rreziku që nisma të përçahet që në fillim dhe të dështojë.

2. Marrëveshja politike Duhet të vendoset një vijë e kuqe e qartë: për katër vjet të mos ketë asnjë bashkëpunim me PS-në, PD-në apo partitë që kanë dominuar jetën politike shqiptare për dekada. Të gjitha grupet duhet të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi, ku angazhohen të garojnë së bashku në zgjedhje, në një koalicion të përbashkët me partitë e reja që ndajnë të njëjtat parime dhe objektiva.

Pas përfundimit të mandatit katërvjeçar, kjo marrëveshje përfundon dhe secili grup mbetet i lirë të krijojë një parti të veçantë ose të garojë më vete. Vlerësimi i kontributeve Duhet të vlerësohet kontributi real i secilit.

Nuk është e drejtë që dikush që i është bashkuar protestës vetëm 10 ose 20 ditët e fundit të ketë të njëjtën peshë, apo edhe më shumë, se ata që kanë kontribuar për 35 vjet për këtë kauzë. Disa prej tyre mund të mos jenë sot fizikisht në protestë për arsye të ndryshme, por kjo nuk e zbeh kontributin e tyre.

Shumë njerëz kanë punuar në heshtje, pa kërkuar poste apo përfitime personale. Pikërisht këta duhet të evidentohen, të respektohen dhe të kenë mundësinë të vazhdojnë të japin kontributin e tyre. Kontributi nuk është privilegj; është sakrificë dhe përgjegjësi ndaj popullit. Për këtë arsye, çdo përfaqësues duhet të prezantohet qartë para qytetarëve: kë përfaqëson, cili ka qenë kontributi i tij në shoqëri, në ekonomi dhe në jetën publike.

Vetëm kështu mund të ndërtohet besimi, transparenca dhe një alternativë serioze për qytetarët. Një model i ri qeverisës Një model i tillë mund të quhet Qeveri Hibride ose Qeveri e Rimëkëmbjes Kombëtare, sepse synon të bashkojë përkohësisht grupet e ndryshme të shoqërisë rreth objektivave të përbashkëta.

Ky model nuk ndërtohet mbi interesat e individëve apo të partive tradicionale, por mbi përfaqësimin real, meritën, përgjegjësinë dhe bashkëpunimin, duke krijuar një alternativë të re politike në shërbim të qytetarëve.

Lexo më shumë

Lajmet e Fundit