Policia e Shtetit ka arrestuar 19 persona në lidhje me incidentet e regjistruara gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë para ambienteve të Kuvendit të Shqipërisë.Sipas njoftimit zyrtar, të arrestuarit akuzohen se kanë kundërshtuar dhe goditur me sende të forta punonjësit e Policisë së Shtetit, kanë dëmtuar një automjet policie si dhe kanë sulmuar deputetët e Kuvendit gjatë tubimit.
Po ashtu, policia ka proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe 12 shtetas të tjerë, ndërsa bën me dije se puna vijon për identifikimin e 6 personave të tjerë, të cilët janë dokumentuar me pamje filmike duke kryer veprime të dhunshme.Sipas bilancit të përditësuar të Policisë, gjatë përplasjeve mbetën të lënduar 15 punonjës policie, ndërsa u dëmtua edhe një automjet i policisë.
Në pranga ranë shtetasit: B. K., 35 vjeç; A. E., 24 vjeç; G. P., 36 vjeç; D. B., 32 vjeç; K. P., 46 vjeç; R. D., 30 vjeç; A. Y., 40 vjeç; N. Q., 43 vjeç; Y. Sh., 52 vjeç; E. Gj., 39 vjeç; F. B., 56 vjeç; R. P., 35 vjeç; A. T., 34 vjeç; A. N., 35 vjeç; E. B., 45 vjeç; A. H., 35 vjeç; E. G., 23 vjeç; E. B., 20 vjeç, si dhe A. Ll., 35 vjeç, i cili dyshohet se ka goditur një gazetar gjatë protestës.
Ndërkohë, në gjendje të lirë u proceduan penalisht shtetasit: F. D., 63 vjeç; Sh. B., 33 vjeç; V. D., 29 vjeç; E. Gj., 38 vjeç; T. T., 43 vjeç; E. A., 31 vjeç; G. S., 20 vjeç; R. D., 30 vjeç; A. M., 39 vjeç; M. J., 47 vjeç; A. G., 47 vjeç dhe A. K., 22 vjeçe.
Policia njofton se grupi hetimor po vijon veprimet për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë protestës.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprat penale: “Shkatërrim prone”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishje e rendit dhe e qetësisë publike”, “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Mosbindje ndaj urdhrit të ligjshëm të punonjësit të policisë” dhe “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”.


