Të paktën 13 njerëz janë vrarë dhe 50 të tjerë janë plagosur, përfshirë fëmijë, si pasojë e sulmeve me raketa dhe dronë rusë gjatë natës ndaj kryeqytetit të Ukrainës, Kievit, njoftuan autoritetet e qytetit të enjten.“Pati disa goditje të drejtpërdrejta shkatërruese ndaj ndërtesave të banimit”, tha të enjten kreu i administratës ushtarake të Kievit, Tymur Tkachenko, duke shtuar se ekipet e shpëtimit po nxjerrin nga rrënojat të mbijetuar dhe trupa të viktimave.
“Nëntë viktima janë konfirmuar deri tani, ndërsa raportimet për disa viktima të tjera të mundshme ende po verifikohen, ndërkohë që operacionet e shpëtimit vazhdojnë,” shtoi ai.Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, shkroi mëngjesin e së enjtes se qyteti ishte nën sulm me raketa balistike dhe dronë, ndërsa shpërthime dëgjoheshin në gjithë qytetin.
Ai u bëri thirrje banorëve të qëndronin në strehimore.
Sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës, në disa lagje të qytetit u raportuan zjarre dhe dëme të mëdha në infrastrukturën civile dhe ndërtesat e banimit.


