Nga podcasti i tij të përjavshëm “Flasim” kryeministri Edi Rama komentoi si zhvillim të javës edhe vizitën në Bochum të Gjermanisë, ku deklaroi se Shqipëria vazhdon që të marrë mbështetje për integrimin në BE.
“Mora pjesë në Samitin Ndërkombëtar të Teknologjisë në Bochum të Gjermanisë. Prezantova transformimet që kemi bërë në Shqipëri me digjitalizimin. E kemi modernizuar qeverisjen përmes teknologjisë dhe inteligjencës artificiale. Takova dhe kryeministrin e landit gjerman, që është një mik që është interesuar për integrimin e vendit tonë në BE. Me të fola për mbështetjen e Gjermanisë për integrimin e Shqipërisë në BE. Qershia mbi tortë ishte intervista për DË, ku u surprizova për mënyrën sesi gazetarja e kishte gëlltitur çorbën e të pavërtetës. Gazetarja nuk e fshehu se ishte pjesë e kampit, që e kthyen Shqipërinë në një arenë, për ta bërë luftën me Trump. Toka publike nuk është shitur. Zvërneci është tokë private dhe ne po negociojmë partneritetin. Shteti do jetë ortak në sipërmarrje. Nuk ka shitje të tokës publike. Do e mbrojmë edhe natyrën. Nuk bëjmë asgjë që bie ndesh me BE-në”, tha kreu i qeverisë


