Zjarri në jug të Francës detyron evakuimin e mbi 10 mijë banorëve

Share

Një zjarr i madh pyjor ka detyruar evakuimin e mijëra banorëve në jug të Francës, ndërsa vendi po përballet me pasojat e valës së hershme të të nxehtit që ka përfshirë një pjesë të madhe të Evropës.

Më shumë se 10 mijë persona janë urdhëruar të largohen nga mbi një duzinë qytetesh dhe fshatrash të vegjël në rrëzë të maleve Pirenej, pranë kufirit me Spanjën.

Zjarri, i cili ka shpërthyer në zonën e Trévillach pranë Perpignanit, ka djegur të paktën 4.600 hektarë tokë, bëri të ditur prefekti lokal, Pierre Regnault de la Mothe, përmes një postimi në rrjetin social X.

“Që këtë mëngjes situata po përkeqësohet sërish,” deklaroi ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nunez, në televizionin francez TF1. “Sot beteja nis përsëri.”

Autoritetet kanë paralajmëruar se erërat e forta mund të favorizojnë përhapjen e mëtejshme të flakëve.

“Zjarri iu afrua shtëpive deri në rreth 300 metra. U tronditëm nga shpejtësia me të cilën u përhap. Ishte e pabesueshme, pothuajse krijoi panik,” tha për agjencinë AFP një banor i Trévillach-it, i identifikuar si Patrice.

Për shkak të situatës, organizatorët e garës çiklistike Tour de France u kanë bërë thirrje spektatorëve të shmangin pjesën përfundimtare të etapës së tretë, për t’u lënë rrugë të lirë mjeteve të emergjencës.

Etapa e tretë, me gjatësi 195.9 kilometra, nis në qytetin spanjoll Granollers dhe përfundon në Les Angles, në rajonin francez Pyrénées-Orientales.

Organizatorët kanë kërkuar gjithashtu që tifozët dhe personeli jo i domosdoshëm të mos qëndrojnë përgjatë 40 kilometrave të fundit të etapës, ndërsa autokolona e automjeteve që shoqëron garën do të reduktohet në minimum.

“Një zjarr i jashtëzakonshëm kërkon masa të jashtëzakonshme për Tour de France,” deklaroi drejtori i garës, Christian Prudhomme. “I ftojmë qytetarët të mos grumbullohen pranë itinerarit të garës apo në zonën e mbërritjes.”

Lexo më shumë

Lajmet e Fundit