Angli: Ligj i ri për uniformat shkollore, prindërit do të kursejnë deri në 50 paund

Share

Prindërit në Angli do të kenë mundësi të ulin shpenzimet për uniformat shkollore falë rregullave të reja që hyjnë në fuqi nga shtatori.

Sipas ligjit të ri, shkollat do të lejohen të kërkojnë maksimumi tre pjesë të uniformës me logo ose identitet të shkollës. Kufizimi do të zbatohet për artikuj si pulovrat, xhaketat (blazers), pantallonat dhe fundet.

Për shkollat e mesme, kravatat nuk do të përfshihen në këtë kufizim, që do të thotë se një shkollë mund të kërkojë katër artikuj të personalizuar nëse njëri prej tyre është kravata.

Ndryshimi është pjesë e Children’s Wellbeing and Schools Act, një ligj që synon të ulë kostot e arsimit dhe të bëjë uniformat më të përballueshme për familjet.

Qeveria parashikon se familjet mund të kursejnë rreth 50 paund nga shpenzimet e uniformave shkollore. Departamenti për Arsimin ka theksuar se kostoja e uniformës nuk duhet të jetë pengesë për prindërit që duan të aplikojnë për një shkollë të caktuar.

Përveç uniformave, ligji parashikon edhe zgjerimin e mbështetjes për familjet përmes vakteve falas në shkollë dhe klubeve falas të mëngjesit.

Sipas autoriteteve, këto masa mund t’u kursejnë familjeve deri në 1,000 paund në vit, ndërsa deri në shtator pritet të hapen mbi 2,000 klube falas mëngjesi dhe rreth 500 mijë fëmijë të tjerë të bëhen të ligjshëm për të përfituar vakte falas në shkollë.

Lexo më shumë

Lajmet e Fundit