Alarm në Britani: 151 lodra dhe produkte për fëmijë tërhiqen nga tregu pas zbulimit të asbestit

Share

Një valë e re tërheqjesh produktesh ka alarmuar prindërit në Mbretërinë e Bashkuar, pasi disa lodra dhe artikuj për fëmijë janë gjetur me përmbajtje të mundshme asbesti, një material i njohur si kancerogjen.

Nëntë figura elastike lodrash (“stretchy action figures”), të prodhuara nga Forever Shiny Limited dhe të shitura përmes Amazon dhe furnizuesit të lodrave Nico Toys Limited, janë tërhequr nga tregu pasi testimet zbuluan praninë e asbestit.

Me këto raste të reja, numri total i lodrave dhe produkteve për fëmijë të tërhequra për shkak të kontaminimit me asbest ka arritur në 151 produkte gjatë shtatë muajve të fundit.

Në listën e produkteve të prekura janë përfshirë edhe katër modele mbajtësesh dekorative për dyer nga The Original Factory Shop. Bëhet fjalë për modelet Highland Cow, Brown Dog, Grey Dog dhe Elephant, të cilat përmbajnë rërë të importuar nga Kina që mund të ketë sasi të vogla asbesti.

Ndërkohë, janë sinjalizuar edhe një seri lodrash të mbushura me rërë, të quajtura Sand-Filled Weirdo Toys, ku përfshihen modele si qen, bretkosë, gorillë, peshk me kokë të gjelbër, derr, rosë me ananas, Poopman, lepur dhe mushkë.

Autoritetet u kanë bërë thirrje konsumatorëve që të ndalojnë menjëherë përdorimin e këtyre produkteve. Nëse artikulli është i padëmtuar, rekomandohet të vendoset në një qese plastike të fortë, të mbyllet mirë me shirit ngjitës, të etiketohet dhe të mbahet në një vend të sigurt, larg fëmijëve.

Rreziku nga asbesti lidhet kryesisht me thithjen e fibrave të tij mikroskopike, të cilat mund të shkaktojnë sëmundje të rënda të mushkërive, përfshirë kancerin, pas ekspozimit.

Lexo më shumë

Lajmet e Fundit