Nëna dhe dy fëmijët e saj gjenden të vdekur në Britani, policia nis hetim për vrasje

Share

Një nënë dhe dy fëmijët e saj janë gjetur të vdekur në banesën e tyre në Great Denham, në Bedfordshire të Anglisë, ndërsa policia ka nisur një hetim për vrasje.

Autoritetet ndërhynë në një shtëpi në Carnoustie Drive pasi u ngritën shqetësime se familja nuk ishte parë prej disa ditësh. Pas hyrjes në banesë, oficerët gjetën trupat e pajetë të gruas dhe dy fëmijëve të saj.

Policia e Bedfordshire ka bërë të ditur se ka identifikuar një person të dyshuar, i cili njihej me viktimat. Sipas hetuesve, ai dyshohet se është larguar nga Mbretëria e Bashkuar, ndërsa vijojnë përpjekjet për lokalizimin e tij.

Ndihmës-shefi i Policisë, John Murphy, e cilësoi ngjarjen si “thellësisht tronditëse” dhe u bëri thirrje qytetarëve që kanë informacion të paraqiten pranë autoriteteve.

“Prioriteti ynë janë familjarët dhe të gjithë ata që janë prekur nga kjo tragjedi. E kuptojmë shqetësimin që kjo ngjarje ka shkaktuar në komunitet dhe hetimet po vazhdojnë me intensitet”, tha ai.

Autoritetet nuk kanë publikuar ende identitetin e viktimave apo të të dyshuarit, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.

Lexo më shumë

Lajmet e Fundit