Britani: Financimi i aktiviteteve për azilkërkuesit ndez debat

Share

Azilkërkuesit e strehuar në qendrën e Wethersfield në Essex, kampi më i madh i azilit në Mbretërinë e Bashkuar, po marrin pjesë në kurse vallëzimi, fotografi, arti, kriketi, kopshtarie dhe aktivitete të tjera të financuara përmes një kombinimi fondesh publike dhe donacionesh nga organizata bamirëse.

Programi i vallëzimit, i quajtur “Echoes of Home”, organizohet nga organizata Art Refuge në bashkëpunim me Atelier Armonico dhe do të vazhdojë deri në vitin 2028. Financimi vjen pjesërisht nga Lotaria Kombëtare, Essex Community Foundation dhe fondi i Ministrisë së Brendshme britanike “Asylum Large Sites and Vessels Grant”.

Sipas të dhënave të publikuara, Këshilli i Braintree ka marrë 50 mijë paund për aktivitete në komunitet, ku përfshihen 14,125 paund për programin e vallëzimit, 17,490 paund për mësime të anglishtes, artit dhe kopshtarisë, 7,650 paund për stërvitje kriketi dhe 10,750 paund për aktivitete të tjera sportive. Që nga viti 2023, këshilli ka përfituar gjithashtu mbi 3.7 milionë paund për akomodimin e azilkërkuesve.

Lajmi ka nxitur reagime në Essex, ku banorët kanë protestuar edhe kundër zgjerimit të qendrës së Wethersfield nga rreth 800 në afro 1,245 banorë. Debati është intensifikuar pas akuzave ndaj një azilkërkuesi për sulm ndaj një gruaje në një dyqan bamirësie në Braintree.

Një nga zërat kritikë ishte Alp Mehmet, kryetar i Migration Watch UK, i cili deklaroi se fondet do të ishte më mirë të përdoreshin për të ndihmuar të moshuarit dhe personat në nevojë në komunitetin lokal. Nga ana tjetër, Këshilli i Braintree tha se nuk planifikon të japë financime shtesë përtej fondeve të miratuara nga Ministria e Brendshme.

Lexo më shumë

Lajmet e Fundit