Në një zonë të largët të provincës Meta në Kolumbi, ku shumë fshatra mund të arrihen vetëm përmes lumenjve dhe ku mungojnë rrugët e tregjet e qëndrueshme, shumë fermerë përballen me një zgjedhje të vështirë: të mbjellin kultura të ligjshme që shpesh nuk sjellin të ardhura të mjaftueshme, ose t’i rikthehen kultivimit të kokës, bimës që përdoret kryesisht për prodhimin e kokainës.
Një nga këta fermerë është Perea, i cili dikur vendosi të braktiste kultivimin e kokës. Ai shkulI bimët nga toka dhe mbolli kultura të ligjshme si maniok dhe banane, duke iu bashkuar një programi qeveritar që premtonte ndihmë për fermerët që dëshironin të largoheshin nga ekonomia e drogës.
Por ndihma e premtuar nuk mbërriti kurrë plotësisht. Pa rrugë për të transportuar prodhimet, me përmbytje të shpeshta dhe pa treg të sigurt, Perea nuk arriti të siguronte të ardhura të mjaftueshme për familjen e tij.
Në vitin 2024, ai mori vendimin e vështirë për t’u kthyer përsëri te mbjellja e kokës.
“Është një tragjedi, por kur ke fëmijë dhe nuk ke punë, çfarë zgjedhjeje ke? Nëse ndihma nuk vjen, detyrohesh të kthehesh te ajo”, është shprehur ai.
Për shumë familje në zonat rurale të Kolumbisë, koka mbetet një kulturë që sjell siguri ekonomike. Ajo rritet shpejt, mund të korret disa herë në vit dhe ka gjithmonë blerës, ndryshe nga shumë kultura të ligjshme që shpesh mbeten pa treg.
Ekspertët thonë se shumë fermerë nuk e zgjedhin kokën për shkak të dëshirës për t’u përfshirë në trafikun e drogës, por sepse ajo është shpesh e vetmja mënyrë për të ushqyer fëmijët dhe për të mbijetuar në komunitetet ku shteti nuk ka arritur të krijojë alternativa reale.
Sot, pavarësisht programeve të zëvendësimit të kulturave, kultivimi i kokës në Kolumbi ka arritur nivele rekord. Historia e Pereas tregon një realitet të vështirë: për shumë familje të varfra, lufta kundër kokainës nuk mund të fitohet vetëm duke shkatërruar bimët, por duke krijuar mundësi të vërteta jetese.


