Një shtetas polak 35-vjeçar është akuzuar nga autoritetet britanike pasi dy vajza adoleshente dyshohet se janë përdhunuar dhe sulmuar seksualisht në një plazh në Britani të Madhe.
Ngjarja e rëndë raportohet të ketë ndodhur në South Beach, Great Yarmouth, më 16 maj. I dyshuari, i identifikuar si Dawid Wlach, është akuzuar për dy vepra përdhunimi dhe dy vepra sulmi seksual.
Sipas policisë, Wlach u arrestua dhe u paraqit në Qendrën e Hetimeve të Policisë në Great Yarmouth të shtunën.
Ai është personi i dytë që është akuzuar në lidhje me këtë ngjarje. Më herët, autoritetet britanike kishin ndaluar edhe Madalin Ilinca, 34 vjeç, shtetas rumun, i cili gjithashtu përballet me akuza për përdhunim dhe sulm seksual.
Ilinca u arrestua pasi u ndalua në Portin e Doverit, ndërsa po hynte përsëri në territorin britanik.
Hetimet për rastin vijojnë, ndërsa autoritetet kanë theksuar se akuzat ndaj të dyshuarve nuk janë provuar ende në gjykatë.


