Një punonjës i OSHEE-së ka humbur jetën në orët e para të mëngjesit të sotëm, gjatë një ndërhyrjeje për riparimin e një defekti në rrjetin elektrik në zonën e Himarës.Sipas burimeve, bëhet fjalë për Bashkim Boci 55-vjeç, punonjës i OSHEE-së, i cili dyshohet se ka humbur jetën teksa po tentonte të rikthente energjinë elektrike gjatë ndërprerjeve të shkaktuara nga moti i keq.
Mësohet se 55-vjeçari kishte hipur në një shtyllë elektrike, ku po tentonte të rilidhte një kabllo të energjisë, kur i është shkëputur rripi i sigurisë që e mbante të lidhur në mes. Si pasojë, ai është rrëzuar nga një lartësi prej rreth 9 metrash dhe ka ndërruar jetë.
Ndërkohë, i gjithë bregdeti i jugut u godit nga një mot i keq i shoqëruar me erëra të fuqishme dhe rrufe. Në qytetin e Vlorës, era e fortë ka shkaktuar kaos përgjatë shëtitores së Lungomares, ku karriget dhe tavolinat e lokaleve janë marrë përpara nga stuhia duke fluturuar në mes të rrugës e duke vështirësuar lëvizjen.


