Ministria e Jashtme e Kosovës ka shpallur të marten konkurs të brendshëm për ambasadorë.
Lajmin e ka bërë të ditur Kreshnik Ahmeti, shef i kabinetit në ministri.
Përmes një statusi në Facebook, ai shkruan se “diplomatët tani mund të kandidojnë për t’u dërguar në njërën nga misionet diplomatike të Republikës sonë”.
“Gara e brendshme dhe procedurat transparente do të garantojnë përzgjedhjen më të mirë të mundshme të diplomatëve, të cilët do t’i zgjerojnë e thellojnë raportet me vendet e tjera dhe do t’i mbrojnë interesat e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Më nuk ka dërgime në misione e gradime të diplomatëve të cilat bëhen me arbitraritet e në tavolinë të Ministrit. Tash e tutje do të ketë procedura transparente, me kritere objektive dhe rezultate të drejta dhe meritore”, shkruan ai.
Shpallja e konkursit vjen rreth një javë pasi qw ndaj Qeverisë u votua mocioni i mosbesimit në Kuvend.
Kushtetuta dhe as ndonjë ligj apo akt nënligjor nuk ia kufizon ndonjë kompetencë Qeverisë gjatë të ushtruarit të mandatit në detyrë.