Shkruan Shemsi Syla:
Sot e 39 vite më parë, më 1 prill 1981, studentët, nxënësit, profesorët, intelektualët, punëtorët, fshatarët, – me një fjalë, i gjithë populli i bashkuar si rrallë herë, – bënë histori. Si rrjedhë lumenjsh po bashkoheshin në demonstratën më të madhe që kishte ndodhur ndonjëherë pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë. Po bashkoheshin në Prishtinë, aty ku i ftonte zëri i popullit se kishte ardhur dita për t’i treguar fuqishëm Jugosllavisë hegjemoniste të ashtuquajturës ’’parajsë e popujve’’dhe gjithë botës së qytetëruar se këtu, në trojet e veta ekziston një popull, i quajtur shqiptar e që për nga numri përbën jo më pak se të tretin në Jugosllavi. Dhe se ai jeton e frymon në trojet e veta autoktone , me traditë, kulturë e gjuhë që e dallon nga popujt tjerë sllavë të jugut, dhe pikërisht për këtë edhe diskriminohet skajshmërisht, duke iu mohuar edhe të drejtat elementare, siç është e drejta për jetën. Në anën tjetër, në aspektin e rregullimit shtetëror, as që bëhej fjalë për të drejtën e barazisë së shqiptarëve në raport me popujt sllavë, të cilët, edhe pse për nga numri i popullsisë ishin më të vegjël, ata gëzonin statusin e republikës, siç mund të thuhet për Malizn e Zi, Slloveninë, Maqedoninë dhe Bosnjën. Ky lum njerëzish po marshonte duke demonstruar e paralajmëruar se ka ardhur koha për t’i dhënë fund më padrejtësisë historike, që po i bëhej popullit shqiptar në trojet e veta nën Jugosllavi. Në ballë kishte studentët dhe rininë heroike e revolucionare, e cila edhe me 11 e 26 mars marshoi, protestoi e demonstroi paqësisht, por që policia e ushtria fashiste i shtypi me gjak, në vend që të dëgjonte zërin e të realizonte kërkesat për barazi e drejtësi me popujt tjerë të Jugosllavisë. Masat barbare kundër studentëve: dhuna, torturat, arrestimet, burgosjet, jo që kishin zmbrapsur dhe frikësuar ata, po në të kundërtën kishin shtuar revoltën tek i gjithë populli, që po priste një organizim e mobilizim për të ngritur edhe me lart kërkesat deri në fitore. Studentët, pas 26 marsit bojkotuan ligjëratat, nxënësit ndërprenë mësimin, punëtorët përçuan mesazhin, fshatarë e intelektual prisnin me padurim alarmin. Këtij mobilizimi të përgjithshëm tani po i printe struktura e organizuar e Lëvizjeve Ilegale. Ajo kishte marrë mbi supe organizimin demonstrues së bashku me shumë studentë që edhe ishin anëtarë të saj dhe bashkëvepronin në grupe të ndryshme ilegale në Qendër të Studentëve dhe anekënd nëpër Kosovë… Dhe, 39 vite me parë ishte ditë me diell, nuk binte shi e as borë, siç po ndodh sot. Frynte një erë e ngrohtë që mbushte zemrat e demonstruesve me zjarrin revolucionar të gatishmërisë për sakrificë e që shpërtheu në qendër të Prishtinës aq fuqishëm saqë zëri kumbues mbërrinte qiellin. Këngët ’’ Kur ka ra kushtrimi ne Kosove’’,’’ Kaçanik o shkëmb e gurë’’e të tjera, ishin bërë zë kushtrimi i popullit, bashkë me kërkesat: Kosova Republikë! Republikë Kushtetutë ja me hatër ja me luftë! Jemi Shqiptarë, nuk jemi Jugosllavë! Poshtë Jugosllavia Titiste! Trepça është e jona! Duam Liri, Barazi, Drejtësi! Duam Bashkim! Rroftë Adem Demaçi! Të lirohen të burgosurit Politikë, e shume te tjera. Demonstrata e 1 prillit kulmon me fjalën monumentale drejtuar populli nga lideri i atëhershëm i Lëvizjes Ilegale, Hidajet Hyseni, në emër të organizatorit, i cili iu drejtua masës, duke ua bërë me dije se e vërteta për shqiptarët është kjo që e thotë populli, janë parullat dhe kërkesat e qarta që tregojnë synimet tona për liri, drejtësi e barazi me të tjerët… Ai e kishte përmbyllur fjalën e tij me një mesazh: ’’Studentë, nxënës, profesorë, intelektualë e fshatarë jemi një e të pandarë’’…kështu për të vazhduar deri në fitore! Regjimi i atëhershëm jugosllav e udhëheqësit vasalë të asaj kohe, në vend që t’u dilnin demonstruesve përpara e t’ua plotësonin kërkesat legjitime, përkundrazi, ata përdorën fuqishëm mjete e dhunës: tanket, autoblindat, plumbat, gazin, shkopinjtë e gomës etj, për shuarjen e demonstratës. Po atë natë regjimi shpalli gjendje shtetrrethimi dhe gjendje te jashtëzakonshme nga ushtria jugosllave. Demonstrimi i popullit pavarësisht këtyre masave vazhdoi edhe me 2 e 3 prill duke marrë përmasat edhe të një kryengritje gjithë popullore. Ushtria dhe policia fashiste jugosllave shtypi me gjak kryengritjen e popullit duar thatë duke përdorur armatimin më të sofistikuar, aeroplanët, tanket, autoblindat, armët nga më të ndryshmet, si mitraloza e pushkë automatike, armë kimike, e të tjera. Dhjetëra demonstrues u vranë e u plagosen, me qindra e mijëra të tjerë u arrestuan, u burgosën, u kidnapuan e u izoluan… Me muaj të tërë Kosova u mbajt nën rrethim të plotë me orë policore e dhunë ushtarake nga regjimi jugosllav, një shtet që në botë njihej si shtet shumë demokratik dhe shembull për liri e barazi të popujve të ndryshëm, për kombe e pakica kombëtare. Jugosllavia, madje mbante leksione edhe për shtetet e Lindjes së Largët duke u mbajtur edhe si avokate e tyre nën ombrellën e të ashtuquajturave’’ Shtete të Painkuadruara’’. Sot e 39 vite më parë, për herë të parë bota e qytetëruar apo bota demokratike, siç e quanim ne atëherë, mori mesazhin për të vërtetën e qartë nga populli shqiptar që jetonte në trojet e tija në kuadër të Jugosllavisë së Titos, të një shteti të ndërtuar keq. E pra, zëri i protestuesve e demonstrues para një dhune fashiste të një shteti “model”, siç konsiderohej për respektimin e të drejtave të njeriut, po binte para qytetërimit evropian. Maska e Jugosllavisë po çirrej. Prëndimi filloi të mendoj ndryshe. Edhe gjykimet ishin ndryshe… Për here të parë shtypi botëror, mbështetur në faktet qe sollën protestat e demonstratat e tetëdhjetë e njëshit, shpalosi të vërteten për popullin shqiptar në Jugosllavi, duke publikuar dhjetëra e qindra shkrime për historinë e dhembshme të tij. Për deri sa Jugosllavët në Kosovë mbanin terrin informativ, duke e mbytur fjalën e mendimin e lirë, shtypin dhe mendimin e lirë perëndimor nuk mund ta ndalnin. Pavarësisht masat dhe mjetet represive, e vërteta depërtonte dhe bartej tek të gjithë. Të gjitha këto masa të egra dhe anakronike të regjimit Jugosllav për shumë kë ishin të pakuptueshme, por duke e parë se çfarë ndodhë më vonë me Jugosllavinë pas ngjarjeve të tetëdhjetë e njëshit, del e vërteta se Jugosllavia nga këto ngjarje ka pësuar lëkundjen vendimtare të shkatërrimit si krijesë artificiale që ishte. Të kota ishin masat aq të ashpra dhe të pa mëshirshme në gjykimet e mëvonshme që po iu bëheshin demonstruesve dhe organizatorëve të tyre. Ato vite përballjesh shpërfaqnin gjendjen e brendshme të një regjimi të kalbur dhe në shthurje. Jo më pak se 600 shekuj burg dhanë gjykatat e regjimit të egër Jugosllav për shqiptarët pas demonstratave të vitit 1981. Këto masa ishin argumenti më i fortë se Jugosllavisë së ashtuquajtur, ’’shembull’’ të demokracisë e tolerancës ndëretnike, të proklamuar më sloganin “vëllazërim bashkim” i kishte ardhur fundi. Ngjarjet, çfarë ndodhin më vonë me shkatërrimin e Federatës Jugosllave sjellin argumente bindëse se demonstratat e shqiptarëve në Jugosllavi, në vitin 1981, vërtetë jo vetëm se ia lëkundën, por ndihmuan në shkatërrimin e themeleve, për ta rrëzuar përfundimisht dhjetë vite me vonë në vitet e nëntëdhjeta. Prandaj, sot e 39 vite pas, si askush më shumë se sa ne shqiptarët s’ka asnjë arsye të mos t’i gëzohet këtij fakti. Le të ndihemi krenarë sepse ishim ne ata që me përkushtim e sakrificë u bëme faktorë të shkatërrimit të një “Perandorie”, e cila në bazament kishte projektin hegjemonist për gllabërimin e trojeve shqiptare e më gjerë.