Përfaqësuesi Special për dialogun Kosovë-Serbi i BE-së, diplomati sllovak, Miroslav Lajçak, ka folur për herë të parë pas emërimit në këtë pozitë.
Lajçak, përmes një postimi në Twitter, tha se Ballkani Perëndimor gjithmonë ka qenë në zemrën e tij, duke qenë se ka punuar një kohë të gjatë në rajon.
“Ballkani Perëndimor ka qenë gjithmonë afër zemrës sime, sepse kam punuar në rajon dhe me rajonin për një kohë të gjatë. Jam i nderuar që më është besuar kjo detyrë e rëndësishme. Pres me padurim të punoj bashkë me përfaqësuesit e Serbisë dhe të Kosovës, me shefat e shteteve të BE-së dhe në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-në”, ka shkruar Lajçaku në Twitter, raporton KOHA.
Kundër emërimit të tij në këtë pozitë kishin qenë edhe zyrtarë shtetërorë të Kosovës. Presidenti Thaçi kishte thënë se “misioni i tij i ri është i destinuar të dështojë” për shkak të punës së tij të mëhershme “për të ndaluar Sllovakinë ta njohë Kosovën dhe votimin kundër ulëses së Kosovës në UNESCO”.
Po ashtu, edhe ministri tashmë në detyrë i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, ishte deklaruar kundër mundësisë që sllovaku Miroslav Lajçak të emërohet i dërguar i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe për Bosnjë-Hercegovinë.
“Kundër përzierjes së Kosovës me Bosnjën, sepse flitet se Miroslav Lajçak do të caktohet emisar i Borrellit dhe kjo është e papranueshme, gjë që ia kemi bërë të qartë Lajçakut. Nuk duam të jemi si Bosnja sa i përket organizimit të brendshëm”, kishte thënë ai, gjatë raportimit para Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë.
Por, emërimi i tij sot u përshëndet nga Italia dhe Franca. Ambasadat e tyre në Kosovë kanë deklaruar se Lajçaku mund të llogarisë në mbështetjen e tyre për rifillim të dialogut Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja.
Mandati fillestar i Lajçakut në këtë pozitë do të jetë 12 muajsh.