Kancelarja Merkel dhe kryeministrat e landeve ranë dakord që kufizimet për shkak të krizës së Coronës të vazhdojnë deri më 3 maj. Shkollat do të rihapen “gradualisht” duke filluar nga data 4 maj.
Bashkë me lajmin për zbutjen e masave kufizuese për për shkak të krizës së Coronës kancelarja Angela Merkel u bëri edhe një herë thirrje qytetarëve që të respektojnë kufizimet në luftën kundër pandemisë së Coronës. Vërtet që në Gjermani spitalet, mjekët dhe stafi infermieror nuk janë të mbingarkuar, tha Merkeli pas takimit virtual me kryeministrat e landeve, por ky është vetëm “një sukses i brishtë i ndërmjetëm”.
Merkel njoftoi se shkollat do të rihapen “gradualisht” duke filluar nga data 4 maj, por shtoi se nuk ka shumë hapësirë për ndryshime të masave kufizuese ose për t’u nxituar, edhe nëse këto lidhen me qëllime të mira. Po ashtu u mor vendim që fillimisht të rihapen vetëm dyqane me sipërfaqe deri në 800 metra katrorë.