Shitjet e makinave të reja në Bashkimin Europian pësuan rënie me 55,1% në muajin mars, deklaroi një grup tregtar, duke fajësuar epideminë e koronavirusit.
“U regjistruan rreth 567 000 makina të reja, më pak se gjysma në krahasim me marsin 2019”, njoftoi Shoqata Europiane e Prodhuesve të Automjeteve (ACEA) në buletinin mujor.
ACEA e konsideron këtë një rënie dramatike, si rezultat i shpërthimit të COVID-19, dhe thekson se shitjet e makinave në pjesën më të madhe të Europës janë mbyllur për shkak të masave të frenimit të virusit.
“Është rënia më e madhe e përqindjes mujore nga viti në vit. Në terma absolutë, është shifra më e keqe e shitjeve në mars që nga viti 1990, sipas të dhënave në faqen e internetit të shoqatës”, shtoi një zëdhënës i ACEA.