Kandidati i mundshëm i demokratëve në garën për president, Joe Biden, mohoi kategorikisht të premten akuzat e ngritura nga një ish-punonjëse e Senatit se ai e kishte sulmuar seksualisht në fillim të viteve 1990, njofton Voa.
“E them pa mëdyshje, që nuk ka ndodhur kurrë, kurrë”, Bideni në një intervistë për “Morning Joe” të rrjetit gabllor MSNBC.
Biden tha se do t’u kërkojë arkivave kombëtare të tregojnë nëse ekziston ndonjë procesverbal për një ankese të tillë, por ai tha në mënyrë të përsëritur se nuk beson se një procesverbal i tillë ekziston.
“Ish-punonjësja ka thënë që ajo ka paraqitur një ankesë në 1993”, tha Bideni. “Por ajo nuk ka asnjë dokument për këtë ankesë të pretenduar. Ka vetëm një vend ku mund të jetë një ankesë e këtij lloji, Arkivi Kombëtar. Ai është vendi ku mbahen procesverbalet”.
Republikanët kanë ngritur pretendime duke i portretizuar demokratët si hipokritë që mbrojnë vetëm gratë që pretendojnë t’u bëjnë keq konservatorëve. Ata po gërmojnë rreth kësaj çështjeje pavarësisht nga fakti se mund të rizgjojnë vëmendjen ndaj akuzave të shumta për sulmeve seksuale të ngritura kundër presidentit Trump.
Përpara intervistës, zyra e Bidenit lëshoi një deklaratë ku hidheshin gjithashtu poshtë akuzat për sulm seksual 27 vite më parë.
Tara Reade, një grua nga Kalifornia, e cila ka punuar si asistente e stafit në zyrën e Bidenit në Senat nga dhjetori 1992 deri në gusht 1993, e ka akuzuar atë se në vitin 1993 e ka ngacmuar seksualisht.
Biden pritet të jetë kundërkandidat i presidentit Donald Trump, në zgjedhjet e 3 nëntorit në SHBA.
Trump është akuzuar nga më shumë se 12 gra për sulme seksuale e sjellje të pahijshme ndër vite, akuzat që ai dhe ndihmësit e tij i kanë mohuar.
“Unë mendoj se ai duhet të përgjigjet” tha Trump për Bidenin në një konferencë për media të enjten. “Mund të jenë akuza të rreme. Dhe unë di gjithçka mbi akuzat e rreme”.