Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se nga 197 testimet e kryera gjatë 24 orëve të fundit për persona të dyshuar me COVID-19, janë konfirmuar 6 raste pozitive
Në Shqipëri rritet në 795 numri i përgjithshëm i rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19) me konfirmimin edhe të 6 rasteve të reja, ndërsa vazhdon të rritet numri i të shëruarve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka njoftuar se nga 197 testimet e kryera gjatë 24 orëve të fundit për persona të dyshuar me COVID-19, janë konfirmuar 6 raste pozitive.
“Që nga fillimi e deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 795 qytetarë, por pothuajse 67 për qind e tyre rezultojnë të shëruar. Numri total i të shëruarve shkon në 531 dhe në total janë 233 persona aktivë me COVID19”, thuhet në njoftim.
Sipas ministrisë, pjesa më e madhe e rasteve aktive po ndiqen nga mjeku i familjes ose janë asimptomatikë. Kujtojmë se deri tani 31 persona në Shqipëri kanë humbur jetën nga COVID-19.
Në Shqipëri për shkak të COVID-19 është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, ndërsa vazhdojnë masat si mbyllja e institucioneve arsimore, ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i fluturimeve, pezullimi i transportit urban dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.
Institucionet kanë filluar lehtësimin për disa nga masat kufizuese, ndërsa disa kategori të bizneseve kanë filluar që të ushtrojnë aktivitetet e tyre. Në vijim të strategjisë së rihapjes graduale prej datës 11 maj do të lehtësohen në aktivitetet e tyre një grup tjetër biznesesh.