Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka thënë se LDK-ja ka rrëzuar Qeverinë Kurti për arsye se i është frikësuar planit të Vetëvendosjes për të luftuar korrupsionin.
Ai ka thënë se në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me dekretin e presidentit Hashim Thaçi për Avdullah Hotin e LDK-së për kryeministër, janë në përballje dy koncepte krejtësisht ndryshe prej njëra-tjetrës.
“A e mendoni se çfarë do të ndodhte në Kosovë pas vendimit pro Qeverisë së re? A do të kishte kuptim të mbaheshin zgjedhjet e reja? Vullneti i popullit nuk do të vlente më? Më i rëndësishëm do të ishin kafet ku vendosin disa liderë se vullneti. Po luftojnë dy koncepte në Kushtetuese, ai i VV-së, shumë fer, që t’i kthehet vullnetit të popullit. Ku po doni më fer, të vendosë populli. LDK-ja e ka konceptin tjetër, jo popullin, por një lider politik pa asnjë votë. E ky që s’ka dal as më 2017 e as më 2019, këtë që doli më i votuari më 2019 dëshiron ta çojë në shtëpi e ta lërë pa punë e të kontrollojë kryeministrin e ardhshëm që do ta sillte kah të donte me Thaçin. Është koncept i ndytë. S’ta ka dhënë populli, por ta falë Thaçi. Është degradim në themel i demokracisë dhe shtetit të Kosovës. Kryeministër më së miri është ai që ka marrë më së shumti vota”, ka thënë Konjufca në Interaktiv.
Sipas tij, situata e re “është episod i dytë i 2016-s, në atë kohë kur u çojke Isa Mustafa t’ua bënte me sy deputetëve për vota të Thaçit e tash Thaçi është në episodin e dytë që t’ia kthejë favoret Mustafës që t’ia bëjë një nxënës të tij kryeministër”.
Konjufca ka thënë se LDK-ja ka përdorur çështjen e “amerikanizmit” si mbulesë të arsyes së vërtetë për prishje të koalicionit.
“Puna e qeverisë u krye për këtë legjislaturë. Një pjesë nuk u pajtua. Ku duhet të shkojë tash vullneti i qytetarëve? Te Isa Mustafa a? E ka rrëzuar legjislatura qeverinë, cili është institucioni më i rëndësishëm tash që t’i japë udhë? Isa Mustafa? Absolutisht është shkelje e demokracisë. Isa Mustafa i ka shkruar letër Kurtit para shkarkimit të Agim Veliut e i ka thënë se do të dalë nga qeveria sapo të kryhet pandemia. Kjo tregon që drejtimi i kësaj qeverie s’i ka konvenuar as udhëheqjes së LDK-së. Duhet t’i pyesni ata. Këto reforma që ka filluar qeveria jonë nga reduktimi i ministrive deri te shpartallimi i bordeve. Ka pas edhe një hap për të shkuar më thellë. Lufta e korrupsionit që t’i shkohet deri në fund duke filluar nga konfiskimi i pasurisë e deri te njerëzit që kanë keqpërdorur me tenderë e të tjera, që natyrisht duhet të vijnë nga prokuroria duke e furnizuar prej gjetjeve tona të shkeljeve të qeverive të kaluara. Besoj se kësaj udhëheqja e LDK-së iu frikësua fort. Mendoj se amerikanizmi është zëvendësim për këtë frikë. Kur të fillojë të dalë korrupsioni prej fjokave të ministrive, nuk mund të thuash se po frikësohemi. Kauza duhet të nxirret e më e mira ishte Serbia, tarifa, Grenelli thotë se s’po hiqet reciprociteti, Bondsteeli po do të ikën e t’ia lëmë kilen VV-së. Ishte shumë e ulët. Ama populli e mori vesh. Është e pakapërdishme”, ka thënë tutje ai.
Ai ka thënë se LDK-ja ka keqpërdorur qëndrimet e ambasadorit Richard Grenell për tema të caktuara, përfshirë reciprocitetin teksa ka thënë se është e rrezikshme që përfaqësues i palës së Kosovës të jetë Hashim Thaçi.