Aktorët shkodranë të Teatrit “Migjeni” zhvilluan paraditen e sotme një protestë simbolike për të shprehur kundërshtinë e tyre për shembjen e dy godinave në kompleksin e Teatrit Kombëtar në kryeqytet.
Përpara godinës së teatrit, të vendosur përkrah njëri-tjetrit në distancë mbanin pankarta me mbishkrimet “Unë jam teatri, trishtim kjo frikë”, “Poshtë diktatura.”
Aktorja dhe drejtorja e Teatrit “Migjeni”, Rita Gjeka nuk e fshehu trishtimin duke e krahasuar shembjen e teatrit njësoj me prishjen e një xhamie.
“Se kam menduar kurrë. Gjithmonë kam thënë se janë fjalë por të bëhen vepra prej një artisti, vetëm ai momenti i shembjes që më del në ëndërr është njësoj sikur shemb kishat se këta e kanë forcën dhe vullnetit me i shemb kishat e xhamiat. Në fund të shpirtit tonë me teatrrin kanë shembur një kishë dhe një xhami ku shkojmë dhe falemi, ku shkojmë dhe lutemi. E keqja e madhe është rinia e teatrit, ata nuk kanë shpresë, i kanë vrarë shpresën, do Zoti që sa më shpejt kjo shpresë të zgjohet”, Gjeka.
E ndërsa kryeministri Edi Rama nxitoi sot të ripublikonte projektin për teatrin e ri, Gjekës nuk i thotë asgjë.
Merita Smaja, aktore e njohur e Teatrit “Migjeni” shprehet se ajo që ndodhi me Teatrin Kombëtar është një turp historik.
“Ishte vërtet e vështirë me dhënë shfaqje, ishte një skenë që kishte nevojë të rregullohet por kjo që ndodhi është një turp historik. Të prishësh një teatër do të thotë të shkatërrosh një memorie, një ndërgjegje dhe një popull. Jam e indinjuar jo për faktin se u shkatërrua një godinë, por për faktin si u shkatërrua dhe çfarë ndodhi në shpirtat e njerëzve. Është koha e vdekjes së shpirtave. Teatri është shpirt, jetë, ajo që duhet të ndodhë çdo ditë dhe duhet ta shohin të gjithë”, tha Smaja.