Kina është “e hapur” për bashkëpunimin ndërkombëtar për të identifikuar burimin e koronavirusit por çdo hetim duhet të jetë “pa ndërhyrje politike”, tha të dielën ministri i jashtëm i Kinës.
Wang Yi i’u përgjigj kritikave të cilat ai i quajti përpjekje të politikanëve amerikanë për të “fabrikuar thashethemet” mbi origjinën e patogjenit dhe “stigmatizimin e Kinës”. Shtetet e Bashkuara dhe Australia kanë kërkuar javët e fundit për një hetim mbi origjinën e pandemisë. Presidenti Amerikan Donald Trump dhe Sekretari i Shtetit Mike Pompeo kanë akuzuar Kinën për mungesë transparence për këtë çështje dhe vazhdimisht shtynë teorinë se virusi rrjedh nga një laborator kinez i sigurisë maksimale. Shumica e shkencëtarëve besojnë se virusi nisi nga kafshët te njerëzit, ndoshta nga një treg që shiste kafshë ekzotike për mish në qytetin qendror kinez, Wuhan.
“Kina është e hapur për të punuar me bashkësinë shkencore ndërkombëtare për të gjetur burimin e virusit,” tha Wang në një konferencë shtypi në margjinën e seancës vjetore të parlamentit të Kinës. “Në të njëjtën kohë, ne besojmë se kjo duhet të jetë profesionale, e drejtë dhe konstruktive,” shtoi ai. “Drejtësi do të thotë që procesi të jetë pa ndërhyrje politike, të respektojë sovranitetin e të gjitha vendeve dhe të kundërshtojë çdo prezumim të fajit.”
Organizata Botërore e Shëndetit gjithashtu i ka bërë thirrje Pekinit t’i ftojë ata të hulumtojnë burimin bashkë me Kinën duke propozuar që “përgjigja globale” ndaj COVID-19 duhet të vlerësohet vetëm kur pandemia të ketë përfunduar. Anëtarët e OBSH-së miratuan të martën një rezolutë në asamblenë e parë virtuale të trupit të Kombeve të Bashkuara për të shqyrtuar trajtimin ndërkombëtar të pandemisë. France 24 / bota.al