Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe ka thënë se zhvillimi i shpejtë i vaksinës dhe trajtimit efektiv për COVID-19 do të jetë prioritet për organizimin e Lojërave Olimpike të Tokios, vitin e ardhshëm.
Sipas Abes, kalimi i gjendjes me koronavirus vetëm në Japoni nuk do të jetë i mjaftueshëm për të mbajtur lojërat, pasi ngjarja e madhe përfshinë tifozë dhe sportistë nga mbarë bota.
Ai ka përsëritur se shpresat e Japonisë janë që të mbahen Lojërat e Tokios në “formën e plotë”, me shikues, si shenjë e fitores së njerëzimit ndaj koronavirusit.
Japonia dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar janë pajtuar që të shtyjnë Lojërat për vitin 2021. Ngjarja kryesore sportive është dashur të mbahet në korrik dhe gusht të këtij viti, por është shtyrë pas paraqitjes së koronavirusit. Po rriten zërat që ngjarja do të mbahet vetëm nëse deri verën e ardhshme zbulohet vaksina.