Presidenti i Republikës dhe Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Ilir Meta mori pjesë në festimet dhe paradën ushtarake të Forcave të Armatosura shqiptare me rastin e 10-vjetorit të Anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut Verior.
Në ceremoninë dhe paradën e organizuar në Sheshin “Nënë Tereza”, ishin të pranishëm kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçaku, atashe ushtarakë, drejtorë të Ministrisë së Mbrojtjes, ambasadorë dhe atashe ushtarakë të akredituar në vendin tonë si dhe përfaqësues nga 29 vendet anëtare të NATO-s.
Fjala e plotë e Presidentit të Republikës, Ilir Meta:
“Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO 10 vite më parë përbën një nga ngjarjet më të mëdha në të gjithë historinë e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.
Një mirënjohje të veçantë dëshiroj t’jua përcjell të gjithë atyre burrave dhe grave, në uniformë që udhëhoqën, punuan dhe realizuan këtë projekt transformues dhe integrues të Forcave tonë të Armatosura ndër vite.
Në këtë përvjetor historik, dëshiroj të shpreh mirënjohjen dhe falënderimin e veçantë ndaj të gjitha vendeve aleate dhe mike, të cilat e mbështetën me shumë besim anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe kontribuan në mënyrë të gjithanshme për modernizimin e Forcave tona të Armatosura.
Një falënderim të veçantë sot e kam për Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George W. Bush, i cili me vizitën e tij të paharruar në Tiranë frymëzoi përpjekjet e përbashkëta për realizimin final të këtij qëllimi madhor.
E paçmuar mbetet mbështetja e jashtëzakonshme e të gjithë popullit shqiptar dhe mbarë spektrit politik e të gjitha qeverive të ndryshme ndaj këtij projekti madhor strategjik që u shërben interesave kombëtare si asnjë projekt tjetër.
Pak ditë më parë ne kujtuam 20-vjetorin e vendimit historik të NATO-s për të ndërhyrë ushtarakisht në Kosovë, duke i dhënë fund genocidit dhe spastrimit etnik jo vetëm atje, por njëherë e pëgjithmonë në të gjithë rajonin tonë.
Të gjithë shqiptarët u mbeten përherë mirënjohës SHBA-ve dhe NATO-s për këtë ndërhyrje vendimtare që jo vetëm shpëtoi një popull të pafajshëm, por forcoi paqen dhe sigurinë në rajonin tonë.
Në këtë 70-vjetor të krijimit, NATO-ja bashkon vullnetet e lira të 29 vendeve anëtare, dhe së shpejti mirëpret anëtaren e 30-të të saj, Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Shtrirja e NATO-s drejt rajonit tonë, ka forcuar, si asnjëherë, sigurinë në aksin adriatiko-jonian, ka zgjeruar perimetrin e sigurisë së Aleancës dhe ka ofruar një garanci të pazëvendësueshme për paqen dhe sigurinë në Ballkan.
Shqipëria ka marrë përgjegjësitë që i takojnë, për reformimin dhe modernizimin e pandërprerë të Forcave të Armatosura, për plotësimin e angazhimeve buxhetore dhe pjesëmarrjen aktive në operacionet e përbashkëta, krah për krah vendeve aleate në misionet ndërkombëtare në Afganistan, Irak, Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Letoni, Mali, Deti Egje, dhe kudo ku i është kërkuar.
Forcimi dhe fuqizimi i infrastrukturës së sigurisë tonë kombëtare mbetet një prioritet i padiskutueshëm.
Përzgjedhja e Kuçovës si vendndodhje e bazës moderne ajrore të NATO-s është tregues i besimit dhe vlerësimit që Aleanca ka për Shqipërinë dhe kontributin e saj në sigurinë e rajonit.
Ai është një investim strategjik si për sigurinë tonë kombëtare, ashtu edhe për atë rajonale.
Si President i Republikës do të vazhdoj të mbështes fuqimisht dhe do të inkurajoj çdo nismë, çdo përpjekje dhe çdo projekt që i shërben forcimit dhe kohezionit të Aleancës dhe angazhimit kombëtar për të përmbushur çdo detyrim.
Jam i bindur se rritja e buxhetit për vitet në vijim do të mbetet përparësi, sepse është jo vetëm detyrim ndaj angazhimit tonë në gjirin e Aleancës, por edhe tregues i përkushtimit për t’iu përgjigjur në mënyrë proaktive rreziqeve të reja të sigurisë.
Lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar, ekstremizmit të dhunshëm, emigracionit të paligjshëm dhe sulmeve kibernetike janë kërcënimet reja, të cilat kërkojnë bashkëpunim edhe më të ngushtë midis vendeve tona.
Shqipëria është e angazhuar që NATO-ja të forcohet më tej si në aspektin politik strategjik, ashtu edhe në atë atë ushtarak.
Ndërkohë që jemi të gatshëm të ndajmë me Aleancën çdo përgjegjësi që do të na kërkohet edhe në të ardhmen. Të mos harrojmë se kontributi më madhor dhe i pazëvendësueshëm që Shqipëria mund dhe duhet të japë, është pikërisht si faktor i qëndrueshëm stabilizimi, bashkëpunimi dhe integrimi në rajonin tonë, përmes një politike të jashtme koherente dhe të besueshme.
Gëzuar 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Forcave tona të Armatosura dhe gjithë popullit shqiptar!”