Aktorët politik dështuan të mbajnë fjalën e dhënë për miratimin e reformës brenda datës 31 maj në tryezën e këshillit politik.
Palët para mbledhjes së djeshme mësohet se ishin optimiste për arritjen e një konsensusi politik, por situata ndryshoi kur u mbyllën. Burime për Top Channel bëjnë me dije se bisedimet mes negociatorëve u bllokuan tek çështja e administrimit zgjedhor.
Me qëllim arritjen e kompromisit, përfaqësuesi i SHBA, ka zhvilluar takime të ndara e po ashtu edhe bashkë me 4 negociatorët politik, por pa sukses. Burime pranë PD-së bëjnë me dije se Partia Socialiste nuk ka pranuar variantin e kompromisit të ofruar në tryezë, duke mos u tërhequr nga varianti i saj i parë.
Të njëjtat burime saktësojnë se opozita ka kërkuar që partitë politike të kenë përfaqësi të barabartë në komisionet e depolitizuara me statusin e vëzhguesit, pa të drejtë vendimmarrje. Opozita propozoi që aplikimi i kësaj formule të re të jetë i lidhur me futjen e teknologjisë në zgjedhje, por kjo formulë nuk është pranuar nga Partia Socialiste.
Burime pranë mazhorancës pretendojnë të kundërtën duke theksuar se Partia Socialiste ofroi një ofertë kompromisi që përfshinte zgjidhjen për të tre çështjet si identifikimin biometrik, depolitizimin e administratës zgjedhore dhe ankimimet pra çështjen e kolegjit. Kjo duke patur për ndërmjetës dhe dëshmitar dhe ndërkombëtarët. Burime pranë mazhorancës bëjnë me dije se ishte PD që paraqiti kërkesa të reja gjatë tryezës që çoi në mbajtjen e ngërçit dhe në dështimin e marrëveshjes.
Burimet bëjnë të ditur se PD është e gatshme të çojë diskutimet për reformën zgjedhore përtej 31 majit, me shpresën e arritjes së një kompromisi./TCH/