Afro-amerikani George Floyd i cili u vra në Minneapolis të SHBA-së nga katër policë, pas raportit të autopsisë rezultoi se kishte qenë me koronavirus.
Nga strisha e hundës së autopsisë, mjekët tregojnë sot raportin se Floydi kishte qenë i prekur me COVID-19, por shefi ekzaminues mjekësor, Andrew Baker tha se lloji i testit të kryer për obduksion, i quajtur PCR, ka kapacitetin të tregojë një rezultat pozitiv “për disa javë të tëra pas zbulimit të sëmundjes klinike”, raporton CNN.
Por, Baker tha se koronavirusi nuk luajti rol në vdekjen e Floydit.
46-vjeçari Floyd vdiq pasi ish-polici Derek Chauvin, kishte mbajtur gjurin në qafën e tij për gati nëntë minuta më 25 maj, duke ringjallur çështjen e brutalitetit të policisë ndaj afro-amerikanëve pesë muaj para zgjedhjeve presidenciale në Amerikë.
Prokurori i Përgjithshëm i Minnesotas, Keith Ellison, ka vendosur të ngre akuzë kundër ish-policit Derek Chauvin, për vrasje të shkallës së dytë, dhe gjithashtu, ka ngritur akuzë ndaj tre zyrtarëve të tjerë të përfshirë në incident, më shumë se një javë pasi që kanë shpërthyer protestat në SHBA.