Rreth 600 punëtorë shëndetësorë kanë vdekur nga koronavirusi në Amerikë, bazuar në një projekt të “The Guardianit” dhe “Kaiser Health News (KHN)” që ka qëllim të përllogarisë numrin e punonjësve të vdekur gjatë pandemisë.
Këtu janë përfshirë doktorë, infermierë, si dhe të gjithë pjesëtarët tjerë të ekipeve mjekësore, që kanë vënë jetën e tyre në rrezik gjatë pandemisë për t’u kujdesur për të tjerët.
Shumica e atyre që janë identifikuar si të vdekur ishin afro-amerikanë.
Akoma nuk ka shifra zyrtare apo llogaritje të tjera të vdekjeve të punonjësve shëndetësorë në Amerikë. Qendra për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve ka llogaritur 368 vdekje në mesin e punonjësve shëndetësorë, por ka njoftuar se shifrat janë duke u përditësuar.
SHBA-ja është vendi më i prekur në botë nga koronavirusi, me më shumë se 1.9 milionë të prekur e më shumë se 362 mijë të vdekur.