Mbi 60 milionë qytetarë gjermanë do të mund të votojnë sot për zgjedhjet për Bundestagun.
Këtu janë disa fakte dhe shifra kryesore:
Kandidatët
Kandidatët nga dy grupe politike kanë formuar tradicionalisht historinë e Republikës Federale të Gjermanisë si kancelarë, Bashkimi Kristian-demokrat i qendrës së djathtë / Bashkimi Kristian-social (CDU / CSU) dhe Partia Social-demokrate (SPD) e qendrës së majtë.
Vetëm dy herë votuesit kishin një opsion të tretë për të zgjedhur, në 2002-in, kur Partia Liberal-demokrate (FDP) paraqiti një kandidat të tretë zyrtar për kancelar, Guido Westerwelle dhe në 2021, me të gjelbrit që propozuan Annalena Baerbock si kandidaten e ardhshme për kancelare.
Partitë
Aktualisht, vendet në Bundestagun gjerman janë zënë nga shtatë parti. CDU dhe CSU janë parti të ndara. CSU është aktive vetëm në Bavari, ndërsa CDU mbulon pjesën tjetër të vendit, por ata punojnë së bashku në grupin parlamentar “Union”.
Një total prej 47 partish u miratuan për të kandiduar për këto zgjedhje, përfshirë grupe të tilla si “Partia për Ndryshim”, ”Vegjetarianët dhe Veganët” ose “The Urban’’.
Shumica nuk e arrijnë pragun prej 5,0% të kërkuar për të hyrë në parlament.
Përfaqësuesit
Aktualisht, ligji zgjedhor parashikon vetëm një total prej 598 vendesh në parlament. Sidoqoftë, për shkak të mënyrës komplekse në të cilën caktohen vendet pas zgjedhjeve, ky numër zakonisht tejkalohet.
Bundestagu aktual është më i madhi në historinë e Republikës Federale të Gjermanisë, me një total prej 709 anëtarësh.
Një komision reformash ka për detyrë të gjejë një zgjidhje deri në mesin e vitit 2023. Megjithatë, numri i zonave zgjedhore do të mbetet i pandryshuar për zgjedhjet e vitit 2021, në 299.
Rivalët
Dy kandidatë për kancelar, udhëheqësja e Partisë së Gjelbër Annalena Baerbock dhe ministri Federal i Financave i SPD Olaf Scholz, po konkurrojnë kundër njëri-tjetrit në një zonë të vetme për herë të parë në zgjedhjet e Bundestagut.
Të dy po luftojnë në Potsdam për një mandat të drejtpërdrejtë për të hyrë në parlament.
Zgjedhësit
Zyra Federale e Statistikave vlerëson se rreth 60,4 milionë gjermanë do të jenë në gjendje të votojnë më 26 shtator: 31,2 milionë gra dhe 29,2 milionë burra.
12,8 milion prej tyre janë mbi 69 vjeç, 10,2 milionë janë midis 60 dhe 69 dhe 11,8 milionë midis 50 dhe 59 vjeç.
Pjesëmarja e votuesve
Gjermania kishte një pjesëmarrje jashtëzakonisht të lartë deri në vitet 1980, me mbi 90% të elektoratit që votuan në shkallë vendi dhe mbi 80% në zgjedhjet shtetërore, por norma ra ndjeshëm me zgjedhjet e para pangjermane në 1990.
Vetëm 70,9 për qind votuan në zgjedhjet federale të vitit 2009. Kjo ra në 76,2 për qind në 2017.
Votimi përmes postës
Që nga viti 2009, votuesit kanë qenë në gjendje të votojnë me postë nga shtëpia pa dhënë një arsye të veçantë.
Përqindja e votuesve postarë është rritur mjaft gjatë dekadave, nga më pak se 5% në 28,6% në zgjedhjet për Bundestagun në 2017-n./ATSH/