Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë është një festë që organizohet çdo vit më 2 prill dhe ka për qëllim zhvillimin e aktiviteteve të cilat kanë lidhje me lexuesit e moshave të vogla.
Për nder të kësaj dite, Biblioteka “Hivzi Sulejmani” dhe organizata “ETEA”, me përkrahjen e Komunës së Prishtinës, organizojnë manifestimin qendror ku do të lexohet mesazhi “Librat na qetësojnë” sponsorizuar nga Lituania, përkthyer në gjuhë shqipe nga Selda Safqiu.
Po ashtu, do të ketë lexime të veprave letrare nga autorët e Karvanit të Shkrimtarëve për Fëmijë, promovimi i veprave të Erinë Rrahmani, shkrimtare për fëmijë, shpallja e tri eseve më të mira të fëmijëve nga juria profesionale e përbërë prej tre shkrimtarëve për fëmijë, etj.
Ndryshe, Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë e të Rinj për herë të parë është organizuar në vitin 1966 nga Jella Lepman themeluese e Bordit Ndërkombëtar të Librit për Fëmijë e të Rinj, organizatë kjo joqeveritare e cila përfshin një rrjet të njerëzve nga gjithë bota të cilët përpiqen të bashkojnë librin me lexuesit.