Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shpreson se takimi i 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë në Uashington rritë shpresat për një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë.
Kjo marrëveshje sipas Thaçit, nënkupton njohje reciproke mes të të dyja vendeve si dhe anëtarësim të Kosovës në Kombet e Bashkuara.
“Qëndrimi i SHBA-së dhe ftesa e 27 qershorit për takim në Shtëpinë e Bardhë, rritë shpresën, optimizmin dhe besimin se ky proces do të ketë sukses. E para pasi që ky proces e ka mbështetjen e qartë të SHBA-së, të vetë presidentit Trump si dhe këmbëngulësinë, por edhe vizionin e ambasadorit (Richard) Grenell”, deklaroi presidenti Thaçi.
Gjatë një konference me gazetarë, presidenti Thaçi tha se procesi i negociatave Kosovë- Serbi e ka mbështetjen edhe të presidentit amerikan, Donald Trump.
“Uashingtoni e ka thënë qartë se ky proces, dhe kjo është thënë qartë në letrat që i ka dërguar vetë presidenti Trump që ky proces është për njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë”, theksoi presidenti Thaçi.
Thaçi tha se Kosova nuk ka kohë për të humbur sa i takon përmbylljes së procesit të bisedimeve me Serbinë.
Ndërkohë sa i takon mundësisë së pjesëmarrjes së Bashkimit Evropian në takimin e 27 qershorit, presidenti Thaçi tha se SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian do të kenë një qasje koordinuese, sepse sipas tij, synimi i të gjitha palëve është që të ketë paqe në rajon.
Ndryshe nga presidenti Thaçi, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka mohuar mundësinë që në takimin e 27 qershorit në Uashington të flitet për pranimin e pavarësisë së Kosovës.
I pyetur për rolin që do të ketë Bashkimi Evropian në negociata, Vuçiq, ka thënë se Serbia do të bisedojë me të gjithë porse do t’i ruajë interesat e veta si dhe “nuk do të dëgjojë atë që nuk i konvenon”.
“Unë mendoj që këtu po luhet një lojë e madhe ndërkombëtare ndërmjet lojtarëve të mëdhenj. Ne jemi të vegjël këtu, ne edhe shqiptarët. Nuk e kemi problemin që të bisedojmë. Atë që e shoh unë si problem është që nuk ka zgjidhje substanciale, esenciale, e cila do të ishte njëjtë e pranueshme ose e papranueshme për të dyja palët”, u ka thënë Vuçiq gazetarëve në Çaçak të Serbisë.
Vuçiq ka bërë të ditur se Serbia ende nuk ka vendosur për delegacionin që të marrë pjesë në takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti Vuçiq ka rikujtuar që në kuadër të bisedimeve me zyrtarët ndërkombëtarë, pritet vizita në Serbi e përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Mirosllav Lajçak, vizita e vetë Vuçiqit në Moskë dhe biseda me presidentin rus Vladimir Putin, si dhe që pas kësaj vizite, autoritetet e Serbisë “duhet të merren vesh se cili delegacion shkon në Uashington”.
SHBA-ja mori primatin në negociata që nga emërimi i Richard Grenell, si i dërguar i posaçëm i presidentit amerikan për negociatat e paqes mes Kosovës dhe Serbisë.
Aktualisht roli që do të ketë Bashkimi Evropian në negociata mbetet shumë i paqartë.
Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Agon Maliqi, sa i takon përfshirjes së Bashkimit Evropian në bisedimet e ardhshme, thotë për Radion Evropa e Lirë se do të kuptohet tek pas përfundimit të takimit të 27 qershorit në Uashington.
“Si do të përfshihet BE-ja në procesin e negociatave, kjo për momentin mbetet shumë e paqartë. Se a do të jetë vetëm SHBA-ja ajo që e shtynë në mënyrë unilaterale një proces apo do të mundësohen dy procese paralele. Një i nivelit pak më politik në Uashington dhe ndoshta më vonë ndonjë dialog i nivelit më teknik që e moderon Bashkimi Evropian”, thotë Maliqi.
Sa i takon rifillimit të dialogut, ditëve të fundit përpjekjet e tij i ka shtuar edhe Mirosllav Lajçak, i dërguar i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi i cili po qëndron për vizitë disaditore në Kosovë.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Ballkanin, Peter Stano, duke ju referuar takimit të 27 qershorit, tha se çdo marrëveshje në kontekstin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të kalojë përmes një procesi negociues të udhëhequr nga BE-ja.
“Bashkimi Evropian ishte duke ndihmuar në dialog që nga fillimi. E ardhmja evropiane e vendeve është e mundur vetëm përmes dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër. Për të gjitha gjërat që merren vesh, duhet të jetë pjesë edhe Bashkimi Evropian, pra të jetë pjesë e dialogut”, deklaroi Stano.
Sa i takon vizitës së Mirosllav Lajçak në Kosovë, Stano tha se ai do të propozojë data për rifillim të dialogut.
Analisti politik, Naim Rashiti, thotë se Kosova nuk duhet injoruar iniciativën e BE-së për rifillim të dialogut.
Sipas Rashtit, Lajçak është duke punuar në përcaktimin e dinamikës së re të bisedimeve.
“Me këto vizita ai vetëm po bënë përpjekje për ta përcaktuar dinamikën e re ose të marrë pajtimin e palëve për vendosjen e një dinamike të re të dialogut, e cila do të fillojë vetëm kur të hiqen kufizimet për shkak të pandemisë. Lajçak është në fillim të punës së tij, në përgatitje të procesit, dhe Kosova duhet ta mbështesë edhe këtë proces sepse nuk bie ndesh me qëllimet e SHBA-së”, thotë Rashiti për Radion Evropa e Lirë.
I dërguari i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak ka nisur vizitën e tij në Kosovë ku do të takohet me presidentin, Hashim Thaçi, kryeministrin Avdullah Hoti dhe kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.
Në këto takime, Lajçak do të shpalosë planin për rifillimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, proces ky që u ndërpre në fund të vitit 2018 pasi Qeveria e Kosovës, vendosi tarifë prej 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
I emëruari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, njoftoi se takimi do të ndodhë në Shtëpinë e Bardhë, pasi palët janë pajtuar që t’i heqin pengesat për dialog.
Grenell tha se Serbia u pajtua që të pezullojë përkohësisht fushatën e çnjohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe se Kosova u pajtua të pezullojë përpjekjet për t’u anëtarësuar në mekanizma ndërkombëtarë.
Në Kosovë, spektri politik mbetet i ndarë sa i takon procesit të dialogut me Serbinë. Që nga ardhja në pushtet e qeverisë së re të drejtuar nga Avdullah Hoti i LDK-së, i është bërë thirrje partive politike që të bëhen pjesë e procesit të bisedimeve.