Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi se rritja e pranisë së Rusisë në rajonin e Mesdheut Lindor po shkakton shqetësime për aleancën.
“NATO po ashtu është e shqetësuar për rritjen e pranisë së Rusisë në Mesdheun Lindor në përgjithësi, në Siri, por po ashtu edhe në Libi. Ne duhet ta ndjekim dhe monitorojmë atë nga afër”, tha Stoltenberg në një konferencë për median para takimit të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s që do të mbahet më 17-18 qershor.
Stoltenberg tha se ”situata në Libi nuk është në axhendën e takimit, por shtoi se mund të diskutohet edhe ajo”.
“Ajo ka një ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë e aleatëve tanë, veçanërisht atyre jugorë, por në të vërtetë për të gjithë NATO-n”, tha Stoltenberg.
‘”Situata në Libi mbetet jashtëzakonisht e vështirë, e rrezikshme dhe natyrisht, ne jemi thellësisht të shqetësuar për raportet në lidhje me varret masive. Ne mbështesim thirrjen e OKB-së për një hetim për të zbuluar saktësisht se çfarë ndodhi”, tha shefi i NATO-s.