Vetëm në muajin mars, Zjarrfikësve të Prishtinës iu është dashur të intervenojnë në 345 raste, ku 321 prej tyre kanë qenë zjarre fushore-malore e që kanë ndodhur në komunat që i mbulon Brigada e Zjarrfikësve të Prishtinë.
Komandanti i Zjarrfikësve për Rajonin e Prishtinës, Latif Zeka, në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se nuk e kujton asnjëherë këtë situatë të ketë ndodhur derisa sa thotë se tani bëhet fjalë për numër rekord të rasteve.
Ai shprehet i habitur me këtë gjendje derisa ka treguar se zjarret po shkaktohen nga pakujdesia e jo rrallë herë janë të qëllimshme.
“Unë qe 10 vjet jam përgjegjës i Brigadës së Zjarrfikësve dhe nuk më ka ndodhur që për tre muajt e parë të kemi kaq shumë raste që po ndodhin në djegien e maleve, barit të thatë, shkurreve. Është një dukuri të cilën nuk po mund ta shpjegoj se pse dhe çka është ka ndodhë? Disa raste janë të qëllimshme dhe prej pakujdesisë, për të pastruar tokën e vet ndizen zjarri dhe atëherë zjarri po merr përmasa të mëdha. Në janar i kemi pasë 121 intervenime, 77 kanë qenë zjarre”.
“…Në muajin shkurt i kemi pasë 188 prej tyre 148 zjarre fushore-malore dhe në muajin mars që ka pasë numër rekord kemi 345 intervenime, prej tyre 321 kanë qenë zjarre, shumica prej tyre në fusha dhe male, në komunat që i mbulojmë nga, komuna e Prishtinës, Fushë Kosovës, Obiliqit dhe Graçanicës”, ka thënë Zeka.
Ai thotë se nuk kanë pasur kapacitete të mjaftueshme për të intervenuar në këto raste dhe shpeshherë aty është dashur të angazhohen njerëz shtesë, qytetarë dhe roje pylli.
Fatmirësisht sipas Zekës nuk ka pasë njerëz të lënduar derisa dëmet materiale të shkaktuara janë kogja të mëdha.
“ Për fat të keq nuk kemi pasur kapacitete të mjaftueshme, por në shumë raste janë angazhuar zjarrfikës tjerë dhe pylltarë që ruajnë pyjet. Në disa raste na kanë ndihmuar edhe vetë qytetarët. U kërkojë falje disa qytetarëve që nuk kemi pasë mundësi që t’iu dalim në ndihmë të gjithë atyre që kanë thirr. Për fat të mirë nuk ka pasë të lënduar as nga zjarrfikësit dhe as nga qytetarët. Dëme materiale ka pasë, të cilat kanë qenë bukur të mëdha”, tha Zeka.
Por, ai ka një hall. Thotë se pavarësisht vendeve të lira të punës për zjarrfikës, komuna dhe ministria e Punëve të Brendshme nuk po mund të dakordohen rreth shpalljes së konkursit ngase ende mbetet i padefinuar statusi i tyre se nën menaxhimin e kujt janë.
“Është mungesë e madhe e zjarrfikësve në Prishtinë, por edhe në gjithë Kosovën. Komuna e Prishtinës duhet t’i ketë së paku mbi 200 zjarrfikës, por jemi vetëm 99, i kemi 16 vende të lira të punës të cilët e kanë lëshuar punën që ka dalë jashtë vendet ose kanë hapur biznese këtu, por edhe disa kanë dalë në pension. Janë 16 vende të lira pune dhe nuk hapet konkursi për këto vende. Ne jemi në pozitë të palakmueshme sepse prej vitit 2012 nuk është i përcaktuar statusi, nuk dihet a jemi punëtorë të ministrisë së Punëve të Brendshme apo të komunave. Ligjërisht jemi punëtorë të MPB-së, faktikisht pagat dhe investimet i marrim prej komunave dhe nuk po mund të dakordohen komunat dhe Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave që është në kuadër të MPB-së se kush ta shpallë konkursin”, ka thënë Zeka.
Megjithëkëtë, Zeka thotë se kanë marrë premtime për përmirësim të kushteve dhe kjo pritet të ndodh me Ligjin e Pagave, ku koeficienti do të jetë i barabartë me atë të policisë.
“Me ligjin e ri, koeficienti i zjarrfikësve do të shkon aty ku është edhe i policisë ashtu siç kemi kërkuar. Do të paguhen edhe orët e natës, orët shtesë, festat dhe do të hynë rrezikshmëria në kuadër të pagës, që është diku 40 për qind”, ka thënë Zeka.