Kryeministri, Avdullah Hoti, në Kuvend ka deklaruar se vizita e së enjtes në Bruksel nuk e zëvendëson takimin e Uashingtonit, që mbahet më 27 qershor.
Sipas tij shumë shpejtë do të merret vesh nëse dialogu do të jetë i suksesshëm apo jo.
“Ne kemi hequr masat e reciprocitetit për t’i dhënë mundësi dialogut, kaq e thjeshtë është. Po hyjmë për njohje reciproke. E ruajmë të drejtën tonë, nëse dialogu nuk është i suksesshëm, dhe do ta marrim vesh shpejtë nëse nuk është i suksesshëm, është çështje javësh kur e dimë se a po ecim përpara në këtë proces. A mund ta përmbyllim marrëveshjen apo jo. Ne i ruajmë të drejtën si shtet sovran për të vendosur të gjitha masat e reciprocitetit”, ka thënë Hoti.
Ai ka thënë se në Bruksel do të kërkojë liberalizimin e vizave.
“Deklarimet që u bënë janë të paqëndrueshme. Ky vendim është mbështetur nga PDK-ja kur kemi hequr masat e reciprocitetin. Vizita jonë në Bruksel, të enjten, nuk e zëvendëson takimin në Washington. Vizita jonë ka për qëllim që në institucionet e larta të BE-së të kërkojmë liberalizimin e vizave”, ka thënë Hoti.
Ai thotë se dialogu po bëhet për njohje reciproke.
“Platformën për dialog e kemi të çartë. Dialog për njohje reciproke, dhe çdo gjë tjetër është politikë ditore. Ka me qenë plotësisht transparent deri në fund. Vetëm përmes procesit të dialogut kemi ardhur këtu ku jemi”, është shprehur ai.
Hoti ka shtuar se aplikimi në organizata ndërkombëtare është bërë vetëm deri më 27 qershor, për të parë nëse ka progres në procesin e dialogut.
“Ose do të mbërrihet një marrëveshje e mirë në përputhje me Kushtetutën, ose nuk ka me pas marrëveshje. Këtë mund t’iu them dhe mund të vazhdojmë më pas me vendosjen e masave dhe mbajtjen e status-quosë edhe me të gjitha problemet që kemi pasur deri më tash. Nuk kemi rrugë tjetër. Nuk mund të shkojmë përmes Moskës për anëtarësim në OKB, por vetëm përmes Brukselit dhe Washingtonit, s’ka rrugë tjetër”, ka thënë Hoti.