Kandidati demokrat për president në Shtetet e Bashkuara, Joe Biden pritet të prezantojë të martën një sërë propozimesh ekonomike, të përqendruara tek familjet e klasës së mesme, ndërsa bën fushatë rreth 100 ditë para se votuesit të zgjedhin nëse do të votojnë për të apo për Presidentin Donald Trump.
Fushata e zotit Biden tha se ai do të “shpjegojë se si plani i tij do të krijojë një krah pune të konsoliduar për industrinë e kujdesit dhe arsimin për shekullin e 21-të”, si pjesë e planit të tij për ekonominë amerikane.
Anketat e fundit tregojnë se zoti Biden kryeson ndaj Presidentit Trump, përfshirë një sondazh nga Reuters/Ipsos me votuesit që u krye javën e kaluar, sipas së cilit zoti Biden ka një mbështetje 10 pikë më të lartë.
Kandidati demokrat ka detajuar disa pjesë të tjera të planit të tij ekonomik, ndërsa ka kritikuar përgjigjen e zotit Trump ndaj pandemisë së koronavirusit dhe menaxhimin e ekonomisë nga ana e tij.
Zoti Trump është kundërpërgjigjur, duke e paraqitur veten si kandidatin më të aftë për konsolidimin e ekonomisë, duke e cilësuar zotin Biden “plotësisht të papërshtatshëm”.
Më herët këtë muaj, zoti Biden propozoi një plan prodhimi prej 700 miliardë dollarësh, që ai tha se do të shtonte 5 milionë vende të tjera pune për të ndihmuar me përballimin e papunësisë së lartë gjatë pandemisë.
Zoti Biden tha se plani i tij përfshin 300 miliardë dollarë për studime dhe projekte zhvillimi në energji të pastër, telekomunikacion, inteligjencë artificiale dhe fusha të tjera. Po ashtu përfshin 400 miliardë dollarë për blerjen nga ana e qeverisë së mallrave të prodhuara në Amerikë.
Javën e kaluar, zoti, Biden propozoi shpenzimin e 2 trilionë dollarëve për të luftuar ndryshimet e klimës dhe eliminimin e çlirimit të karbonit nga komplekset e energjive deri në vitin 2035.
Fushata e zotit Biden ka thënë se një pjesë tjetër e planit do të shpaloset në një fjalim tjetër, përfshin përpjekje për të avancuar barazinë racore pas protestave kombëtare kundër brutalitetit të policisë.