Futbollisti kosovar, Valmir Sulejmani do të kthehet te Hannoveri, ka njoftuar Bild të martën.
Hannoveri garon në Bundesliga 2, kurse Sulejmani deri më tani ka luajtur në Waldhof Mannheim në kategorinë e tretë gjermane. Pra është hap i rëndësishëm para në karrierën e tij, raporton KOHA.
Sulmuesi 24-vjeçar në edicionin e fundit ka realizuar gjashtë gola në 18 paraqitje. Kishte edhe katër asistime.
Ai është zhvilluar te Hannoveri ndërsa më pas kishte luajtur si huazim te Union Berlini. Prej vitit 2018 ishte te Mannheimi. Sulejmani ka luajtur për Gjermaninë U-17, ndërsa më pas luajti me shumë sukses te U-21 e Kosovës. Ka disa ndeshje edhe me përfaqësuesen A të Kosovës.
Marrëveshja mes Hannoverit dhe Sulejmanit është arritur tashmë. Ai transferohet si lojtar i lirë. Për Hannoverin është përforcimi i parë për edicionin e ri.
Sulejmani i është nënshtruar kontrollimeve mjekësore të martën kurse do të firmos për dy vjet.