Aviatori amerikan Wiley Post, më 22 korrik të vitit 1933, përmbushi fluturimin e parë i vetëm rreth botës.
Fluturimi në avionin me një motor mbuloi një itinerar prej 25 mijë kilometrash dhe zgjati 7 ditë, 18 orë dhe 45 minuta. Historiani i aero-nautikës Robert van der Linden, thotë se gjatësia e fluturimit të zotit Post nuk ishte e vetmja arritje “Më e rëndësishmja, të paktën e parë nga këndvështrimi ynë, ishte aftësia e tij për të përdorur aparaturat në avion, veçanërisht, drejtuesin automatik, si dhe pajisjen radiofonike për orientim, e cila e ndihmonte shumë në drejtimin e avionit.
Pa dyshim, përdorimi i drejtuesit automatik ia lehtësonte së tepërmi punën gjatë fluturimit”, tha ai.
Wiley Post humbi jetën në një aksident ajror në Alaskë në vitin 1935. Në këtë aksident vdiq edhe miku i tij, humoristi amerikan Will Rogers.