Gjithsej 13 arrestime janë bërë në Liverpool dhe Leeds, ndërsa mijëra tifozë u mblodhën jashtë stadiumeve të mërkurën në mbrëmje për të festuar titujt e klubeve të tyre, me gjithë paralajmërimet për të qëndruar në shtëpi. Të mërkurën mbrëma Liverpooli e ka marrë trofeun e kampionit të Premier Leagues, derisa Leeds Unitedi atë të Championshipit, sukses që ka konfirmuar rikthimin në elitën e futbollit anglez pas 16 vjetësh. Policia e Merseysidet prezantoi një zonë shpërndarëse 48-orëshe përreth stadiumit “Anfield Road” të Liverpoolit, gjatë ndeshjes kundër Chelseat. Nëntë arrestime u bënë derisa një numër i madh tifozësh u mblodhën jashtë stadiumit, ku Liverpooli ngriti trofeun e kampionit pas fitores 5:3 ndaj Chelseat. Për Liverpoolin, ky është titulli i parë pas një pritjeje prej tri dekadash. Përpara ndeshjes në Liverpool, klubi, këshilli, policia dhe grupi i mbështetësve “Spirit of Shankly” u kishin kërkuar njerëzve që të festonin nëpër shtëpitë e tyre për shkak të shqetësimeve të vazhdueshme për përhapjen e koronavirusit. Mirëpo të gjitha këto kërkesa hasën në vesh të shurdhër për shkak se tifozët u tubuan jashtë stadiumit “Anfield Road”.
“Edhe pse numri i tifozëve që u mblodhën të mërkurën mbrëma ka mundur të jetë dukshëm më i lartë, është akoma zhgënjyese që njerëzit nuk i dëgjuan kërkesat nga klubi – Këshilli i Qytetit për të mos u mbledhur për shkak të rreziqeve të paraqitura nga COVID- 19”, tha zyrtarja e policisë, Natalie Perischine.
Pas kësaj situate kishte reaguar edhe trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp, duke kërkuar nga tifozët që të kthehen në shtëpi. Ai sërish u ka premtuar atyre një festë të çmendur për suksesin.
“Duhet të përgatiteni për një festë. Nuk e di kur, por në momentin që ky virus do të zhduket, ne do të mblidhemi së bashku për të festuar”, ka thënë Klopp.
Mijëra mbështetës festuan gjithashtu jashtë stadiumit “Anfield Road” muajin e kaluar, kur Liverpooli u konfirmua si kampion i këtij edicioni në Premier League, kurse të mërkurën mbrëma policia raportoi për konfrontime të dhunshme, për çka edhe u detyruan të bënin arrestime.
“Oficerët bënë një total prej nëntë arrestimesh jashtë stadiumit të mërkurën mbrëma për inat dhe sulm shkaku i njerëzve të dehur që ishin tubuar”, shtoi Perischine.
Ndërkohë, Leeds Unitedi mbrojti vendimin e klubit që lojtarët u paraqitën në paradën e trofeut të kampionatit në një autobus të hapur jashtë stadiumit “Elland Road”, menjëherë pas triumfit 4:0 ndaj Charltonit. Kësaj skene iu përgjigjën mijëra tifozë të Leedsit që dolën për të festuar kthimin në Premier League pas një pritjeje të gjatë. Janë bërë katër arrestime dhe një oficer policie ka pësuar lëndime të lehta. Tifozët u bashkuan më pas me lojtarët në autobusin e hapur pasi dorëzimi i titullit të kampionit në fushë përfundojë. Pronari i Leedsit, Andrea Radrizzani dhe drejtori Angus Kinnear kishin apeluar para ndeshjes me Charltonin që tifozët e Leeds të ndihmonin në luftën kundër koronavirusit duke qëndruar në shtëpi dhe festuar suksesin. Mirëpo në fund klubi u doli në mbrojtje edhe tifozëve që kishin dalë pas paradës me autobus të hapur të lojtarëve.
“Pas konsultimit me Këshillin e Qytetit, Leeds United organizoi që të bëhej një paradë e trofeut me autobus të hapur jashtë stadiumit si një emergjencë për tifozët që i kishin inkurajuar për të qëndruar në shtëpi. Por, kur dolën tifozët ne ishim të detyruar të festonim së bashku”, ka thënë zëdhënësi i klubit. “Grupi i sigurisë besonte se një paraqitje e shkurtër nga lojtarët me trofeun e kampionatit do të ndihmonte për të sinjalizuar përfundimin e procedurave, duke inkurajuar tifozët të shkojnë në shtëpi të sigurt. Në rrethana sfiduese, siguria e tifozëve ka qenë gjithmonë përparësia jonë”.
Në fakt, kjo ishte hera e dytë që tifozët e Leeds Unitedit ishin mbledhur jashtë stadiumit “Elland Road” për të festuar. Herën e parë ata u mblodhën të premten e shkuar për të festuar kthimin në Premier League, kurse të mërkurën mbrëma për trofeun e kampionit.