Ministri i Jashtëm tukr, Mevlut Cavusoglu tha të premten se Franca duhet të vetëpërmbahet nga hapat që do t’i rrisnin tensionet në pjesën lindore të Mesdheut, ku Turqia është futur në një mosmarrëveshje me Greqinë rreth kërkimit të naftës dhe gazit në ujëra të kontestuara.
Sipas disa burimeve të sigurisë, ushtria franceze ka kryer ushtrime me forcat greke në rajonin e kontestuar, shkruan Reuters.
Duke folur në një konferencë për gazetarë bashkë me homologun zviceran, Cavusolgu bëri të ditur se Zvicra ka ofruar ndërmjetësim për ta zgjidhur mosmarrëveshjen dhe se Turqia është pajtuar në parim për këtë, duke shtuar se Greqia do të marrë kundërpërgjigje, nëse e provokon anijen turke “Oruc Reis”.
Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se mosmarrëveshja mes Turqisë dhe Greqisë ka qenë një ndër temat e diskutimit në bisedën telefonike mes presidentit francez, Emmanuel Macron, dhe homologut të tij amerikan, Donald Trump.
Në njoftim thuhet se dy liderët shprehën shqetësim për rritjen e tensioneve mes aleatëve të NATO-s, Greqisë e Turqisë.
Zvicra tha se është e gatshme ta përkrahë dialogun për uljen e tensioneve, nëse një gjë e tillë dëshirohet nga dy palët e përfshira në mosmarrëveshje.